Kongresmeni republikan amerikan kërcënon: Komunistët kinezë po prodhojnë robotë përmes kukullës së tyre, Vuçiçit

Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson ka paralajmëruar për ndikimin e Kinës, përkatësisht të Partisë Komuniste Kineze, në Serbinë e Aleksandar Vučićit. Paralajmërimi vjen pasi i njëjti kongresmen e kishte paralajmëruar Vučićin që të mos organizonte funeral shtetëror për kriminelin e luftës Ratko Mladić.

“Partia Komuniste Kineze po ndërton robotë përmes kukullës së saj serbe, Vučićit. Kjo është një bazë e Partisë Komuniste Kineze në Evropë dhe është në kundërshtim me interesat amerikane. Teknologjia komuniste kineze duhet të refuzohet”, shkroi Wilson.

Wilson më herët e kishte kritikuar drejtpërdrejt Vučićin për shkak të paralajmërimeve nga Serbia se do të organizohej një funeral shtetëror për kriminelin e luftës Ratko Mladić.

“Është e paimagjinueshme që Vučići po planifikon ta varrosë kriminelin e luftës Mladić me nderime shtetërore. Kjo është njësoj sikur Gjermania t’i bënte nderime shtetërore Adolf Hitlerit”, shkroi Wilson.

Wilson më herët kishte paraqitur në Kongres një projektligj të quajtur “Serbia”, në të cilin kërkoi shprehimisht nga qeveria amerikane që ta shtojë presionin ndaj regjimit në Serbi.

Në projektligj kërkohet gjithashtu vendosja e sanksioneve dhe ndalimi i udhëtimit në Shtetet e Bashkuara për të gjithë personat që cenojnë paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kategoritë
LajmeRajoni