Kongresmeni amerikan Brian Mast ka paraqitur një ligj i cili potencialisht mund të përdoret për të mohuar të drejtën e udhëtimit për qytetarët amerikanë vetëm mbi bazën e fjalës së tyre, përfshirë edhe kritikën ndaj Izraelit, raportoi Intercept.
Ligji, i paraqitur nga kongresmeni i Floridës Brian Mast, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, do t’i jepte sekretarit të shtetit Marco Rubio kompetenca për t’u marrë pasaportat qytetarëve amerikanë në të njëjtën mënyrë siç u ka marrë kartat e gjelbra dhe vizat të huajve në SHBA për shkak të kritikimit të Izraelit.
Në mars, sekretari i shtetit Rubio i hoqi vizën doktorandes turke Rumeysa Ozturk pasi ajo në vitin 2024 kishte shkruar një artikull me opinion në gazetën e studentëve të Universitetit Tufts, ku kritikonte Izraelin.
Në artikull nuk përmendej Hamasi, por bëhej thirrje për bojkot dhe tërheqje nga Izraeli.
Një pjesë e ligjit i jep sekretarit të shtetit mundësinë të refuzojë pasaportat për personat për të cilët është përcaktuar se “me vetëdije kanë ndihmuar, mbështetur, nxitur ose në një mënyrë tjetër kanë ofruar mbështetje materiale një organizate që ministri e ka shpallur si organizatë të huaj terroriste”.
Përmendja e “mbështetjes materiale” shqetëson mbrojtësit e lirive qytetare, pasi është e paqartë dhe mund të interpretohet sikur përfshin edhe fjalën e lirë dhe aktivizmin kundër luftës.
Liga Kundër Shpifjes (ADL) dhe Qendra për të Drejtat e Njeriut Louis D. Brandeis vitin e kaluar në një letër sugjeruan se organizata Studentët për Drejtësi në Palestinë (SJP) i kanë ofruar “mbështetje materiale” Hamasit duke organizuar protesta në kampuset universitare kundër gjenocidit izraelit ndaj palestinezëve në Gaza.
Dispozita për mbështetje materiale të terrorizmit paraqet një kërcënim veçanërisht për gazetarët, vuri në dukje The Intercept.
Në vitin 2023, senatori Tom Cotton nga Arkansasi kërkoi një “hetim të sigurisë kombëtare” nga Departamenti i Drejtësisë kundër AP-së, CNN-it, The New York Times dhe Reuters-it, pasi ata kishin publikuar fotografi të realizuara nga fotografë të lirë gjatë sulmeve të Hamasit mbi vendbanimet dhe bazat ushtarake izraelite më 7 tetor 2023.