Konflikti i vjetër dyshohet se përfundoi tragjikisht: Vritet imami në Zlipotok

Imami i fshatit Zlipotok të Dragashit, Gazmend Tahirovci, ka humbur jetën mbrëmjen e së hënës pas një përleshjeje që ka ndodhur në këtë fshat.

Sipas informacioneve të para, Tahirovci dyshohet se është goditur me mjet të mprehtë gjatë konfliktit. Ai është dërguar për trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Dragash, mirëpo mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

I dyshuari për vrasjen e imamit është Beshir Hamza, i cili fillimisht ishte në arrati, por është arrestuar mëngjesin e sotëm pas një aksioni të organizuar nga Policia e Kosovës.

Ndërkohë, sipas informacioneve të siguruara nga banorë të zonës, mes viktimës dhe të dyshuarit kishte pasur probleme të mëhershme. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se vitin e kaluar imami e kishte raportuar të dyshuarin në polici, ndërsa mosmarrëveshja dyshohet se lidhej me çështjen e kullotjes së kafshëve.

Po ashtu, banorë të zonës pretendojnë se personi i dyshuar për vrasjen kishte probleme psikologjike.

Policia dhe organet e drejtësisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa motivi dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende nën hetim./Gazetaere

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi