Konfirmim zyrtar: Në rrugët e Beogradit është parë sistemi raketor izraelit PULS, me rreze deri në 300 kilometra

Gjatë përgatitjeve të Ushtrisë së Serbisë për paradën ushtarake të nesërme, në Beograd është parë sistemi raketor PULS, me rreze veprimi deri në 300 kilometra, duke konfirmuar përfundimisht informacionet për blerjen e këtij sistemi nga Serbia.

Ushtria e Serbisë prej ditësh po përgatit paradën e shpallur si spektakël i madh ushtarak, kur dje u vu re një kamion ushtarak mbi të cilin ishin vendosur lëshues raketorë të mbuluar me rrjetë kamuflazhi.

Bëhet fjalë për sistemin raketor izraelit PULS, i blerë në kuadër të një kontrate të madhe për furnizim me armatime dhe pajisje ushtarake për nevojat e Ushtrisë së Serbisë nga Izraeli.

Nuk dihet ende sa sisteme PULS janë blerë nga Izraeli, por i gjithë furnizimi është vlerësuar në 1,6 miliardë euro, çka e bën, së bashku me blerjen e avionëve francezë Rafale, marrëveshjen më të shtrenjtë shtetërore për blerjen e armatimit.

Karakteristikat e sistemit PULS

  • Mund të lëshojë raketa 122 mm me rreze 40 km,

  • Raketa LAR160 kalibër 160 mm me rreze 45 km,

  • Raketa Accular 122 kalibër 122 mm me navigim GPS,

  • Raketa Accular 160 kalibër 160 mm me rreze 40 km, me kombinim navigimi GPS ose inercial.

Të gjitha këto raketa mund të montohen në konfigurime të dyfishta – module prej 18 raketash ose dy module prej 16 raketash.

Aftësi të reja për Ushtrinë e Serbisë

Një aftësi shtesë e rëndësishme që sjell sistemi PULS për Ushtrinë e Serbisë është mundësia e lëshimit të raketave lundruese Delilah me rreze 250 km dhe devijim vetëm një metër në objektivin e synuar.

Përveç tyre, sistemi PULS mund të lëshojë edhe raketën balistike taktike Predator Hawk me rreze 300 km dhe me kokë shpërthyese prej 160 kg.

Kjo blerje njëkohësisht plotëson kapacitetet për artileri me rreze të gjatë në Ushtrinë e Serbisë, duke pasur parasysh zhvillimin afatgjatë të sistemeve vendore si “Šumadija”, “Tamnava” dhe “Jerina”.

Kategoritë
LajmeRajoni