Kompania amerikane mbërrin në Grenlandë: Përgatitet për shpime nafte pa lejen e autoriteteve lokale

Një kompani amerikane e naftës, e lidhur me Donald Trumpin, po përgatitet për shpime në një zonë të largët të Grenlandës, edhe pse ende nuk ka marrë lejen zyrtare nga autoritetet lokale. Ndërkohë, presidenti amerikan vazhdon të përsërisë deklaratat për marrjen nën kontroll të këtij territori.

Ditët e fundit, në bregun lindor të Grenlandës janë transportuar materiale për përgatitjen e shpimeve, gjë që ka detyruar qeverinë e Grenlandës të lëshojë një “paralajmërim të fortë”, pasi nuk ishte dhënë fare leje për shkarkimin e pajisjeve.

Autoritetet kanë bërë të qartë se çdo çështje e ardhshme logjistike duhet të njoftohet dhe të miratohet paraprakisht nga organi përgjegjës për burimet minerare.

Vetëm dy ditë pas paralajmërimit të autoriteteve, Donald Trump publikoi në rrjetin e tij social Truth Social një fotomontazh të ri provokues, ku paraqitej duke u ngritur mbi një fshat të Grenlandës.

Pas këtij projekti qëndron kompania nga Teksasi “Greenland Energy”, e themeluar vitin e kaluar. Drejtuesit e saj pretendojnë se nën rajonin Jameson Land ndodhen rezerva nafte me vlerë deri në një trilion dollarë dhe kanë njoftuar plane për të shpenzuar 60 milionë dollarë për shpimin e dy puseve kërkimore.

Edhe pse Grenlanda në vitin 2021 ndaloi dhënien e licencave të reja për naftë për arsye mjedisore, kompania britanike “80 Mile” kishte siguruar më herët të drejta kërkimi në këtë zonë.

Sipas të dhënave të Greenland Energy, kompania po merr pjesën shumicë në projekt në këmbim të financimit, por ende i nevojitet miratimi i qeverisë lokale.

Interesant është fakti se kompania ka angazhuar Phil McGraw, i njohur si Dr. Phil, ish-prezantues televiziv dhe anëtar i komisionit të Trumpit për liritë fetare, për të realizuar një seri dokumentare mbi këtë projekt.

Përveç kësaj, në një nga postet drejtuese të kompanisë është emëruar edhe një veteran i Marinës amerikane, i angazhuar në projektin e mbrojtjes raketore “Golden Dome”, për të cilin Trump ka deklaruar se kontrolli mbi Grenlandën është me rëndësi jetike.

Si territor gjysmëautonom i Danimarkës, Grenlanda vendos në mënyrë të pavarur për menaxhimin e burimeve të saj natyrore.

Udhëheqësit lokalë tani përballen me një vendim shumë të vështirë: mund të miratojnë shpimet e naftës, megjithëse lokacioni ndodhet brenda një zone të mbrojtur nga Konventa Ramsar për ligatinat, ose mund ta refuzojnë kërkesën dhe, siç druhen disa, t’i japin Trumpit një pretekst për të shtyrë më tej agjendën e tij ekspansioniste.

Kategoritë
BotaLajme