Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së mbi Territoret e Pushtuara Palestineze tha se Izraeli ka demonstruar qëllimin për kontroll të përhershëm mbi Rripin e Gazës dhe për të mbajtur një shumicë hebraike brenda Bregut Perëndimor të pushtuar
Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar Hetimor i Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Territoret e Pushtuara Palestineze ka zbuluar se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, duke deklaruar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti Isaac Herzog janë ndër nxitësit e këtih gjenocidi, transmeton Anadolu.
Komisioni publikoi raportin e tij të ri si pjesë e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Raporti thekson se qeveria izraelite ka demonstruar një qëllim të qartë dhe të qëndrueshëm për të vendosur kontroll të përhershëm mbi Rripin e Gazës dhe për të ruajtur një shumicë hebraike brenda Bregut Perëndimor të pushtuar dhe Izraelit. Ky proces synon të sigurojë një shumicë hebraike në Territoret e Pushtuara Palestineze, duke përfshirë Kudsin Lindor dhe Izraelin, thuhet në raport.
Duke përfshirë të dhëna të publikuara nga Komisioni javën e kaluar si pjesë e Sesionit të 60-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në raport thuhet se Izraeli ka kryer katër akte gjenocidi në Gaza.
“Këto veprime u kryen nga autoritetet dhe forcat e sigurisë izraelite posaçërisht për të zhdukur palestinezët në Gaza. Veprimet e udhëheqësve izraelitë i atribuohen Shtetit të Izraelit. Prandaj, Izraeli është përgjegjës për kryerjen e gjenocidit, dështimin e tij për ta parandaluar atë dhe mungesën e ndëshkimit. Për më tepër, është përcaktuar se presidenti izraelit Isaac Herzog, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant kanë nxitur kryerjen e gjenocidit”.
– “Bazë për kryerjen e gjencidit”
Raporti deklaroi se autoritetet izraelite kanë shkatërruar gjerësisht dhe sistematikisht infrastrukturën civile brenda korridoreve dhe zonave tampon që ata krijuan në Rripin e Gazës. Ai gjithashtu thekson se Izraeli po zgjeron vazhdimisht zonat nën kontrollin e tij dhe, deri në korrik 2025, kishte marrë kontrollin e 75 për qind të Rripit të Gazës.
Raporti vuri në dukje se hapat e ndërmarrë nga autoritetet izraelite për të zgjeruar zonën tampon dhe për të krijuar korridore kanë zvogëluar ndjeshëm tokën në dispozicion të palestinezëve, duke shtuar se kjo ka një ndikim të rëndësishëm në ushtrimin e tyre të së drejtës së vetëvendosjes.
“Duke shkatërruar strukturat civile dhe duke transferuar me forcë popullsinë, autoritetet izraelite i kanë privuar qëllimisht palestinezët në Gaza nga burimet që u nevojiten për të mbijetuar. Veprime të tilla krijojnë qëllimisht kushte të vështira jetese që synojnë shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të palestinezëve në Gaza. Kjo është gjetur të përbëjë bazën për gjenocid”.
Në raport thuhet se Izraeli ka kryer veprime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar që nga tetori 2023, duke përfshirë “mbështetjen e veprimeve të kolonëve të dhunshëm”, transferimin me forcë të palestinezëve, zgjerimin e pranisë civile hebraike izraelite dhe aneksimin e gjithë Bregut Perëndimor. Ai thitë se kjo tregon një qëllim të qartë për të penguar vetëvendosjen palestineze, iniciativat e ndërtimit të shtetit dhe për të mbajtur një pushtim të paafatizuar.
Raporti renditi gjashtë zyrtarë izraelitë që ka të ngjarë të jenë përgjegjës për krimet ndërkombëtare që lidhen me tokën dhe strehimin, si dhe krime të tjera të identifikuara në raportet e mëparshme të Komisionit.
Aty përmenden ish-ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe ministri aktual i Mbrojtjes Yisrael Katz si përgjegjës për veprimet e forcave të sigurisë izraelite në Gaza, ndërsa ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe ministrja e Misioneve Kombëtare Orit Strock kanë qenë përgjegjës për ndërtimin dhe zgjerimin e kolonive të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.
Në raport theksohet se ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir është drejtpërdrejt përgjegjës për keqtrajtimin e të burgosurve palestinezë nga autoritetet e burgjeve izraelite, ndërsa Netanyahu është drejtpërdrejt përgjegjës për krimet në të gjitha territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli.
Raporti gjithashtu thekson se Netanyahun dhe Gallant janë përgjegjës për nxitje të gjenocidit.
– “Këto plane dhe deklarata (nga Izraeli) janë të neveritshme dhe duhet të dënohen gjerësisht”
Kryetarja e Komisionit, Navi Pillay, ka deklaruar se sekuestrimi i tokës palestineze në Gaza nga Izraeli, krijimi dhe zgjerimi i zonave tampon dhe korridoreve atje, duhet të përfundojë menjëherë, dhe se këto toka duhet t’u kthehen pronarëve të tyre palestinezë, thuhet në raport.
“Uzurpimi dhe kontrolli i tokës nga Izraeli, në dukje për qëllime sigurie, nuk i ka ofruar askujt siguri më të madhe. Përkundrazi, ka thelluar mjerimin e popullit palestinez dhe e ka privuar atë nga burimet thelbësore për mbijetesën e tij, duke përfshirë edhe mundësinë për të prodhuar ushqim”, ka theksuar Pillay.
Pillay është shprehur e tronditur nga njoftimi i fundit i ministrit të Financave izraelit Smotrich për një plan për të aneksuar 82 për qind të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe miratimi i një plani që mbështet zgjerimin e kolonisë E1, hap për të cilin kryeministri Benjamin Netanyahu pretendoi se do të siguronte që nuk do të ketë shtet palestinez.
“Këto zhvillime konfirmojnë gjetjet tona. Pushtimi i plotë i Bregut Perëndimor nga Izraeli dhe shpronësimi dhe zhvendosja e komuniteteve të mëdha palestineze tani janë bërë objektiva të qarta për të cilat zyrtarët izraelitë mburren me krenari. Këto plane dhe deklarata janë të neveritshme dhe duhet të dënohen gjerësisht”, ka thënë shefja e komisionit hetimor.