Kolumbia goditet nga një tërmet me magnitudë 7,4 ballë

Presidenti Abelardo De La Espriella tha se “shteti është i pranishëm dhe po vepron”, ndërsa nisën masat e reagimit ndaj emergjencës

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7,4 ballë goditi pjesën perëndimore të Kolumbisë, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), transmeton Anadolu.

Tërmeti u regjistrua në orën 12:34 GMT, me epiqendër rreth 5 kilometra në lindje të qytetit San Jose del Palmar. Agjencia amerikane njoftoi se tërmeti kishte një thellësi prej 107 kilometrash.

Pavarësisht fuqisë së konsiderueshme të tërmetit, Sistemi i Paralajmërimit për Cunami në SHBA njoftoi se nuk pritet cunami për shtetet amerikane Kaliforni, Oregon, Washington ose Alaska, ndërsa përjashtoi edhe mundësinë e goditjes nga cunami të provincës kanadeze British Columbia.

Nuk kishte raportime të menjëhershme për viktima ose dëme materiale.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kolumbisë pezulloi operacionet ajrore në gjashtë terminale, përfshirë ato në Pereira, Manizales, Quibdo, Armenia, Cartago dhe Buenaventura, duke theksuar nevojën për vlerësimin e dëmeve strukturore.

Ambasada e SHBA-së në Bogota tha se po e monitoron nga afër situatën, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë të informuar për lajmet lokale dhe të ruajnë komunikimin me familjet e tyre.

Një pasgoditje me magnitudë 5 ballë u regjistrua në orën 13:18 GMT, rreth 16 kilometra në perëndim të San Jose del Palmar.

“Shteti është i pranishëm dhe po vepron”, tha presidenti kolumbian Abelardo De La Espriella pas tërmetit, duke konfirmuar se kishte marrë drejtimin e drejtpërdrejtë të reagimit ndaj emergjencës. Ai urdhëroi krijimin e menjëhershëm të një qendre të përbashkët komanduese për koordinimin e përpjekjeve të reagimit.

De La Espriella kërkoi një raport të plotë nga drejtori i Njësisë Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë mbi situatën në qytet, i cili ndodhet rreth 240 kilometra në perëndim të kryeqytetit Bogota. Presidenti konfirmoi gjithashtu se do të udhëtojë drejt Pereira për të mbështetur të prekurit dhe për të monitoruar reagimin e qeverisë.

Komuna, e cila ndodhet në departamentin Choco, ka rreth 4.800 banorë dhe shtrihet në një lartësi prej 1.288 metrash mbi nivelin e detit.

Kategoritë
BotaLajme