Bujqit palestinezë gjetën qindra pemë të shkulura ose të prera kur u rikthyen në tokat e tyre pas një ndalimi dyvjeçar nga ushtria izraelite
Kolonët e paligjshëm izraelitë shkatërruan qindra pemë ulliri në zonën e qytetit të Nablusit të Bregut Perëndimor, në sulmin e fundit në territorin e pushtuar, tha një zyrtar palestinez lokal.
Yousef Sadeq al-Haj, ushtrues detyre i kryetarit të këshillit lokal në Qaryut, tha për Anadolu se bujqit palestinezë në këtë fshat, në juglindje të Nablusit, gjetën qindra pemë të shkulura ose të prera kur u rikthyen në tokat e tyre pas një ndalimi dyvjeçar nga ushtria izraelite.
Haj tha se fermerët mbetën të tronditur kur panë qindra pemë ulliri të thyera.
“E njëjta situatë u gjet edhe në pjesët perëndimore të fshatit, pasi pronarëve u ishte lejuar hyrja në tokat e tyre të mërkurën e kaluar”, tha zyrtari.
Video që qarkulluan në rrjetet sociale tregonin banorët duke inspektuar ullishtat e shkatërruara dhe me dhimbje të dukshme për dëmet.
Sipas Komisionit zyrtar për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit, ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë kryer 259 sulme ndaj palestinezëve gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve që nga muaji i kaluar.
Sulmet izraelite janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë mbi 1.065 palestinezë dhe plagosur gati 10 mijë të tjerë, sipas të dhënave palestineze.
Në një opinion historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territorit palestinez dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.













