Barcelona ka konfirmuar se mesfushori i tyre i ri, Pablo Páez Gavira – Gavi (21), do të qëndrojë jashtë fushave për katër deri në pesë muaj pas një operacioni artroskopik në gjurin e djathtë të lënduar.
Stafi mjekësor i katalanasve vendosi të qepë meniskun medial të dëmtuar për të ruajtur strukturën e gjurit, mirëpo rikuperimi do të zgjasë më shumë nga sa pritej fillimisht.
Sipas Diario AS, madje as kirurgu nuk ka mundur t’i besojë asaj që pa kur hapi gjurin e mesfushorit të ri, pasi të dyja kërcet e gjurit ishin të dëmtuara.
Ky lajm është një goditje e madhe si për klubin ashtu edhe për përfaqësuesin spanjoll, i cili edhe më herët ka pasur probleme serioze me gjurin, përfshirë këputjen e ligamentit të kryqëzuar të përparmë në nëntor të vitit 2023.
Lëndimi i fundit hedh dyshime edhe mbi paraqitjen e mundshme të Gav-it për Spanjën në Kampionatin Botëror 2026, pasi kthimi në ritmin garues do të varet nga shpejtësia dhe cilësia e rehabilitimit – gjë që, sipas mediave spanjolle, e ka “thyer” emocionalisht futbollistin.
Gavi iu bashkua akademisë së të rinjve të Barcelonës në vitin 2015 nga Betis-i dhe që nga viti 2021 është pjesë standarde e ekipit të parë. Fatkeqësisht, një sërë lëndimesh të rënda kanë ngadalësuar zhvillimin e tij futbollistik, edhe pse ai mbetet ende shumë i ri.