KFOR-i mohon të ketë dëshmi se armët ilegale po fshihen në kishat ortodokse serbe në Kosovë

Në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është ngritur alarmi të martën se kishat ortodokse serbe po shërbejnë si vende për ruajtjen e armëve të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), ka thënë se nuk ka dëshmi për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë si dhe shfrytëzim të hapësirave të kishave ortodokse për mbajtjen e armëve nga serbët.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se pretendimet lidhen me kohën kur Batalioni Mbretëror Britanik u angazhua në veri të Kosovës në mbështetje të KFOR-it, në vitin 2022.

Në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar është ngritur alarmi të martën se kishat ortodokse serbe po shërbejnë si vende për ruajtjen e armëve të kontrabanduara nga Serbia në Kosovë. Gjatë një debati për kujtimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, deputetja Alicia Kearns, e cila është edhe kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme, tha se Qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se këto armë mbërrijnë në Kosovë me ambulanca nga Serbia.

“Prania ilegale e armëve u raportua në zyrat e KFOR-it, por, pas hetimeve shtesë në mënyrë që të konfirmohet një gjë e tillë, nuk u gjet asnjë dëshmi nga ajo që u raportua. Nuk ka asnjë dëshmi as për kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për informatë të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e organizatave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Çështja e armëve ilegale në pjesën veriore të Kosovës është ngritur si shqetësim disa herë nga institucionet kosovare.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, duke e quajtur problem serioz armatimin ilegal në katër komunat veriore, ka thënë se “Nuk ka informacione të sakta për sasinë e armëve ilegale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok”.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Serbët lokalë po protestojnë që nga 26 maji në veri, duke kundërshtuar emërimin e kryetarëve të rinj shqiptarë të katër komunave veriore edhe pse ata vetë nuk morën pjesë në këto zgjedhje.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi