Keqinformimi në rrjetet sociale, Biden: Lajmet e rreme për Covid-19 po vrasin njerëz

Presidenti amerikan Joe Biden ka tërhequr vëmendjen për një fenomen që sipas tij po vret shumë njerëz, dhe janë lajmet e rreme për Covid 19-ën, sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se vdekjet për shkak të Covidit mund të parandalohen thuajse plotësisht me vaksinimin masiv, ndërsa Gjenerali amerikan Vivek Murthy do të deklaronte më herët se keqinformimi në lidhje me vaksinat përbën një kërcënim për shëndetin publik.

Në rrjetet sociale qarkullojnë teori të shumta të cilësuara konspirative për vaksinat, që kanë sjellë edhe ngurrimin e shumë qytetarëve për t’u vaksinuar.

“E vetmja pandemi që kemi është ajo mes të pavaksinuarve,” tha shefi i zyrës Ovale.

Informacionet e rreme sipas tij po vrasin njerëz. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka pagëzuar me emërtesë “infodemi” këtë që po ndodh me konspiracionet e ndryshme për vaksinat.

“Ne duhet të përballemi me dezinformimin si komb. Jetët varen nga ajo,” ka thënë gjenerali amerikan ndërsa bisedonte në Shtëpinë e Bardhë me presidentin.

Duke pasur parasysh rolin që luan interneti në përhapjen e dezinformatave shëndetësore, Murthy tha se kompanitë teknologjike dhe platformat e medieve sociale duhet të bëjnë ndryshime domethënëse për të zvogëluar përhapjen e informacionit të rremë duke rritur aksesin në burime autoritare, të bazuara në fakte.

Facebook dhe Twitter, 2 platforma të rëndësishme janë përgjigjur menjëherë duke thënë se do të kujdesen që qytetarët të kenë mundësi të marrin informacione sa më të sakta për pandeminë.

Vlen të sjellim në vëmendje se në vende të ndryshme ka pasur edhe protesta sa i përket vaksinimit.

Kategoritë
BotaLajme