Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, të dielën pasdite do të shpallë vendimin se Britania e Madhe njeh shtetin e Palestinës. Ky hap vjen pas deklaratës së tij në korrik, kur kishte thënë se Britania do të ndryshonte qëndrimin (lidhur me njohjen e mundshme) në shtator, nëse Izraeli nuk i plotëson kushtet, përfshirë pajtimin për armëpushim në Gaza dhe zotimin për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme afatgjatë që do të sillte zgjidhjen me dy shtete.
Meqë Izraeli ka vazhduar edhe më ashpër brutalitetet ushtarake në Gaza, Londra zyrtare ka vendosur për këtë hap të madh.
Kjo paraqet një ndryshim të rëndësishëm në politikën e jashtme britanike, pasi qeveritë e mëparshme kishin thënë se njohja duhej të vinte si pjesë e procesit paqësor dhe në kohën e ndikimit maksimal. Ministrat besojnë se koha ka ardhur tani dhe theksojnë se ekziston një përgjegjësi morale për të vepruar, në mënyrë që të ruhet shpresa për një marrëveshje paqësore afatgjatë.
Ky vendim ka nxitur kritika të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve dhe disa konservatorë, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më herët kishte deklaruar se një hap i tillë “shpërblen terrorin”.
Vendime të ngjashme gjatë javës së ardhshme do të marrin edhe Franca dhe Portugalia, e cila po ashtu ka paralajmëruar njohjen e Palestinës në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.