“Në përgjithësi, Kazakistani është i vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në të gjitha fushat e ndërveprimit”, tha zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kazakistanit, Mukhtar Tleuberdi
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ishte nikoqir i zv/kryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme i Kazakistanit, Mukhtar Tleuberdi, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrat fillimisht zhvilluan një takim dypalësh, më pas u mbajt edhe një takim plenar mes dy delegacioneve, ndërsa në fund u mbajt edhe konferencë e përbashkët për media e ministrave Osmani dhe Tleuberdi.
Osmani tha se vizita e Tleuberdit vjen një vit pas qëndrimit të tij në Kazakistan, kur u hap Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Astana.
“Sot jam i nderuar të informoj opinionin për vendimin e Qeverisë së Kazakistanit për hapjen e ambasadës në Maqedoninë e Veriut nga viti i ardhshëm”, tha Osmani.
Ai po ashtu tha se takimi ishte produktiv, me fokus në bashkëpunimin ekonomik.
Osmani theksoi se të dy vendet kanë mbajtur një forum të suksesshëm biznesi në muajin shtator në Almaty të Kazakistanit dhe paralajmëroi se vitin e ardhshëm është planifikuar të mbahet një forum i dytë biznesi në Shkup.
Ai po ashtu njoftoi se nga nesër ministri i Ekonomisë i Kazakistanit do të qëndrojë në Shkup, ku do të mbahet seanca e parë e komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik.
Në deklaratën e tij, Tleuberdi shprehu kënaqësi që është ministri i parë i Punëve të Jashtme të Kazakistanit që e viziton Shkupin. Ai theksoi se të dy vendet kanë qëndrime të përbashkëta për çështjet më të rëndësishme në agjendën ndërkombëtare.
Tleuberdi theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e bujqësisë, industrisë dhe turizmit.
“Në përgjithësi, Kazakistani është i vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në të gjitha fushat e ndërveprimit dhe shpresoj që bisedimet tona të sotme do të japin një nxitje shtesë për thellimin e partneritetit midis Astanës dhe Shkupit në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh”, tha Tleuberdi.
Gjatë qëndrimit në Shkup, Tleuberdi pritet të takohet me presidentin Stevo Pendarovski dhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.