Gati një muaj pas shfaqjes së përbashkët në tapetin e kuq në Kanë, Karim Benzema (37) po përgatitet të martohet me aktoren Lyna Khoudri (32).
Sipas raportimeve, Benzema dhe Khoudri kanë planifikuar ceremoninë në fillim të korrikut në Korsikë, ndërsa lidhja e tyre u konfirmua publikisht me 23 maj, kur u shfaqën së bashku në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Kanë.
Edhe pse romanca e tyre ishte ruajtur si mister deri atëherë, prezantimi në tapetin e kuq kishte si qëllim tregimin e dëshirës për ta bërë lidhjen publike:
“E dinim mirë që një ditë historia jonë do të dilte në publik pa miratimin tonë,” shpjegoi Lyna Khoudri për La Tribune du Dimanche.
Sipas revistës Paris-Match, dasma do të mbahet në fillim të korrikut në “Ishullin e Bukurisë” – Korsikë.
Lyna, një yll në rritje i kinemasë franceze, e njohur për rolin e saj në filmin Papicha, në Kanë promovoi filmin e saj të ri “13 jours, 13 nuits”.
E lindur në Algjeri, ajo u transferua në Francë në moshë dy vjeçare, por ka mbajtur gjithmonë me krenari origjinën e saj, ashtu si edhe Benzema.
Përpara se lidhja e tyre të bëhej publike, jeta private e Lynës ishte pothuajse e panjohur, ndryshe nga Benzema, i cili ka katër fëmijë me tri partnere të ndryshme: Chloé de Launay, një infermiere, dhe dy modele, Cora Gauthier dhe Jordan Ozuna.