Kaos në aeroporte në mbarë Evropën: Sulmi kibernetik paralizoi sistemet e automatizuara

Një sulm kibernetik i drejtuar ndaj një ofruesi të shërbimeve për sistemet e regjistrimit dhe imbarkimit ka penguar punën në disa aeroporte të mëdha evropiane, përfshirë Heathrow në Londër, Brukselin dhe Berlinin, duke shkaktuar vonesa dhe anulime fluturimesh, thanë operatorët.

Sulmi ka çaktivizuar sistemet e automatizuara, duke lejuar vetëm procedura manuale të regjistrimit dhe imbarkimit, sipas autoriteteve të aeroportit në Bruksel.

“Kjo ka një ndikim të madh në orarin e fluturimeve dhe, fatkeqësisht, do të shkaktojë vonesa dhe anulime. Ofruesi i shërbimeve po punon aktivisht për zgjidhjen e problemit sa më shpejt të jetë e mundur,” thuhej në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të aeroportit.

Heathrow gjithashtu paralajmëroi për vonesa të shkaktuara nga një “problem teknik” tek një furnizues i jashtëm.

Udhëtarëve me fluturime të planifikuara për të shtunën në aeroportet e prekura iu këshillua të konfirmojnë udhëtimin me linjat ajrore përpara se të nisen për në aeroport.

“Për shkak të një problemi teknik te ofruesi i sistemeve që operon në mbarë Evropën, ka kohë më të gjata pritjeje gjatë regjistrimit. Po punojmë për një zgjidhje të shpejtë,” njoftoi aeroporti i Berlinit në një mesazh në faqen e tij zyrtare.

Kategoritë
BotaLajme