Kandidatit proruse të ekstremit të djathtë i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në Rumani

Komisioni Qendror Zgjedhor i Rumanisë ka ndaluar kandidatin proruse të ekstremit të djathtë, Călin Georgescu, të kandidojë në zgjedhjet e përsëritura presidenciale në maj.

Dhjetëra mbështetës të Georgescut u mblodhën para selisë zgjedhore duke thirrur “Liri”, ndërsa disa prej tyre tentuan të çajnë kordonin e sigurisë. Nga ana tjetër, Georgescu dorëzoi kandidaturën e tij të premten për zgjedhjet e përsëritura në maj, duke shprehur dyshime nëse do t’i lejohej të kandidonte.

Në zgjedhjet e dhjetorit, rezultatet e Georgescut u anuluan pasi Gjykata e Lartë e Rumanisë konstatoi se Federata Ruse kishte mbështetur rezultatet e tij zgjedhore.

Anëtarët e administratës së presidentit amerikan Donald Trump e cilësuan anulimin e zgjedhjeve në Rumani si një shembull të keq, ku qeveritë evropiane shtypin lirinë e fjalës dhe kundërshtarët politikë.

Qëndrimin e administratës së Trumpit mbi anulimin e zgjedhjeve në Rumani e mbështeti edhe Elon Musk, i cili e quajti vendimin e organit zgjedhor si “të çmendur”.

Për më tepër, Georgescu është nën hetim penal për gjashtë akuza, duke përfshirë anëtarësimin në një organizatë fashiste dhe përhapjen e informacionit të rremë mbi financimin e fushatës. Georgescu i ka mohuar të gjitha akuzat që i janë ngritur.

Kategoritë
BotaLajme