Kryeministri kanadez Mark Carney ka shpallur zgjedhje të parakohshme për 28 prill, pasi deklaroi në një konferencë për media se Kanadaja duhet të mbrohet nga presioni gjithnjë e më agresiv ekonomik që vjen nga Uashingtoni.
“E dinim që duhej të vepronim për t’u përballur me amerikanët, për të sfiduar tarifat e Trumpit dhe për të përmirësuar ekonominë kanadeze”, tha Carney.
Ai e quajti luftën tregtare me Amerikën “një nga kërcënimet më të mëdha të jetës sonë”.
“Ai dëshiron ta thyejë Kanadanë që Amerika të na posedojë. Nuk do ta lejojmë”, ishte një nga mesazhet e tij.
Ai shtoi gjithashtu se duhet bërë shumë për të siguruar të ardhmen e Kanadasë. Kujtoi se është nënshkruar një marrëveshje e re mbrojtjeje me Australinë, janë forcuar marrëdhëniet me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe janë hapur negociata për një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian.
Gazetarëve u tha se e konsideron veten plotësisht të aftë për t’u përballur me presidentin amerikan Donald Trump dhe se një nga kushtet për vazhdimin e marrëdhënieve është që Trump ta njohë Kanadanë si një shtet sovran.
Që nga marrja e detyrës nëntë ditë më parë, Carney dhe Trump nuk kanë biseduar.
Trump ka deklaruar disa herë se pikërisht Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i Amerikës.
Kandidatët kryesorë në zgjedhje janë Carney (Liberalët), lideri i Partisë Konservatore Pierre Poilievre dhe udhëheqësi i Partisë së Re Demokratike (NDP), Jagmeet Singh.
Secili prej tyre ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me Trumpin dhe kërcënimet e tij.