Ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, u tërhoq zyrtarisht nga posti i liderit të vendit dje, dhe përveç fjalimit të tij, ai u bë i paharrueshëm edhe për mënyrën se si u largua nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Kanadasë.
Pasi u takua me liderin e ri të Partisë Liberale dhe mandatarin për kryeministër, Mark Carney, për të nisur procesin e dorëzimit të pushtetit, Trudeau u “zhvendos” edhe nga Dhoma e Ulët e parlamentit. Një fotograf i Reuters e kapi atë në një moment të veçantë.
Gjatë daljes nga Dhoma e Ulët, Trudeau mori me vete edhe karrigen e tij dhe në atë moment u kthye nga fotografi, duke pozuar me gjuhën jashtë.
Sipas rregullave të parlamentit kanadez, politikanët që largohen nga detyra mund të blejnë një kopje të karriges së tyre në sallë, dhe me shumë gjasë, Trudeau e ka bërë pikërisht këtë.
Ky veprim ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e kanadezëve, me komente nga mbështetësit e tij, por edhe nga kundërshtarët.
“Trudeau e ka vjedhur Kanadanë për dhjetë vjet. Pse të mos vjedhë edhe një karrige në fund?”, shkroi një komentues.
Nga ana tjetër, mbështetësit e tij theksuan se Trudeau më në fund duket i lumtur.
“Duket vërtet i lumtur. Do të na mungojë, por e meriton të kalojë më shumë kohë me familjen e tij.”
“Kjo është fotografia më e ëmbël!”, ishin disa nga komentet pozitive.
Zëvendësimi i njohur
Justin Trudeau nuk është më kryeministër i Kanadasë, ai u tërhoq pas nëntë vitesh.
Nën presionin e madh të kolegëve të tij, për shkak të rezultateve të dobëta në sondazhet para zgjedhjeve të këtij viti, Trudeau iu drejtua qytetarëve kanadezë në fillim të janarit, duke njoftuar dorëheqjen e tij pasi liberalët të zgjidhnin një lider të ri.
Megjithëse Mark Carney nuk ishte favorit kur hyri në garën për kryetar të partisë dhe rrjedhimisht për kryeministër të Kanadasë, përvoja e tij në sektorin financiar ndikoi që ai të triumfonte në garën e brendshme. Kjo, duke pasur parasysh tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi tarifa mbi mallrat nga ky vend.