Miqësia e ngushtë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, mund të shndërrohet në një bashkëpunim zyrtar politik. Sipas mediave amerikane, Trump dëshiron pikërisht Infantinon në krye të Kombeve të Bashkuara.
Sipas New York Post, Trump mendon se Infantino është “i respektuar në mbarë botën”. Pas organizimit të suksesshëm të Kupës së Botës në tri shtete të ndryshme, presidenti i 45-të dhe i 47-të i SHBA-së beson se zvicerani ka një “aftësi të veçantë për t’i bashkuar njerëzit”.
Infantino, drejtuesi i organizatës më të madhe të futbollit në botë, u afrua jashtëzakonisht shumë me Trumpin gjatë organizimit të Botërorit. Presidenti amerikan ishte i përfshirë në shumë aspekte të turneut, ndërsa Infantino në dhjetor i dorëzoi atij edhe Çmimin e parë të Paqes në historinë e FIFA-s.
Afërsia e tyre dëshmohet edhe nga fakti se Trump së fundmi ia dorëzoi trofeun spanjollit Rodri në finalen e Kupës së Botës në stadiumin MetLife, pas fitores së Spanjës 1:0 ndaj Argjentinës. Gjatë ndeshjes, Trump ishte ulur në tribunën VIP pikërisht mes zonjës së parë Melania Trump dhe Infantinos.
Procesi i zgjedhjes dhe kundërkandidatët e mundshëm
Sekretari i ri i përgjithshëm i OKB-së do të zgjidhet në fund të këtij viti dhe do ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 janar 2027, duke pasuar portugezin Antonio Guterres.
Megjithatë, rruga drejt kësaj pozite nuk është e thjeshtë. Që Infantino të bëhet kandidat, ai duhet të sigurojë mbështetje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku pesë anëtaret e përhershme kanë të drejtën e vetos, si dhe miratimin e Asamblesë së Përgjithshme.
Natyrisht, parakusht kryesor mbetet edhe gatishmëria personale e Infantinos për ta marrë këtë detyrë, për të cilën ai ende nuk është deklaruar. FIFA dhe Shtëpia e Bardhë deri tani nuk kanë komentuar.
Nëse Infantino vendos të kandidojë, burime të afërta me Trumpin pretendojnë se ai do ta mposhtte lehtësisht konkurrencën, ku përfshihen, ndër të tjera, ish-presidentja e Kilit Michelle Bachelet dhe argjentinasi Rafael Grossi, drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA).
Grossi mund të përballet me veton e Britanisë së Madhe për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me Ishujt Falkland.
Nga drejtimi i FIFA-s në OKB
Paolo Zampolli, i dërguari special i Trumpit për partneritete globale, deklaroi se Infantino do të bënte një “punë të shkëlqyer” dhe se është i pëlqyer nga njerëzit.
“Në Kombet e Bashkuara duhet të punosh me 193 shtete anëtare. Në FIFA janë mbi 200 dhe rezultatet e Giannit tregojnë se ai di si ta menaxhojë këtë”, tha Zampolli për The Post.
Megjithatë, reputacioni i Infantinos së fundmi u dëmtua pas polemikave lidhur me anulimin e kartonit të kuq të reprezentuesit amerikan Folarin Balogun gjatë Botërorit.
Trump më pas konfirmoi se personalisht e kishte telefonuar Infantinon duke kërkuar rishikimin e vendimit, gjë që i mundësoi sulmuesit amerikan të luante në ndeshjen vendimtare.
Është interesante se Trump po e shtyn këtë ide në një kohë kur administrata e tij nuk e fsheh qëndrimin kritik ndaj OKB-së.
Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka reduktuar kontributet financiare amerikane për OKB-në dhe ka tërhequr SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNESCO dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Nëse Infantino e refuzon këtë mundësi dhe vendos të qëndrojë në sport, në mars të vitit 2027 e presin zgjedhjet për mandatin e katërt në krye të FIFA-s.
Në atë rast, para tij do të jetë organizimi i Kupës së Botës për femra në Brazil në vitin 2027, si dhe Botërori historik i vitit 2030, i cili do të zhvillohet në tri kontinente dhe në gjashtë shtete.
















