Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, njoftuan të dielën lindjen e fëmijës së tyre të katërt, i pari që lind gjatë mandatit të një nënpresidenti amerikan pas më shumë se 150 vjetësh.
Djali, Alec Neel Vance, lindi të dielën dhe iu bashkua vëllezërve dhe motrës më të mëdhenj: Ewanit nëntëvjeçar, Vivekut gjashtëvjeçar dhe Mirabelit katërvjeçar.
Vance e bëri të ditur lajmin për lindjen përmes një deklarate në rrjetet sociale, të nënshkruar nga ai dhe bashkëshortja e tij.
“Me kënaqësi njoftojmë se djali ynë, Alec Neel Vance, lindi këtë mëngjes. Usha dhe foshnja janë mirë dhe të shëndetshëm, ndërsa fëmijët tanë janë jashtëzakonisht të lumtur që do ta njohin vëllain e tyre më të vogël”, thuhet në deklaratë.
Ata falënderuan mjekët dhe personelin e Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake “Walter Reed”, si dhe ekipin mjekësor të Shtëpisë së Bardhë.
Hera e fundit kur një nënpresident në detyrë i SHBA-së u bë baba ishte në shekullin XIX.
Schuyler Colfax dhe bashkëshortja e tij e dytë, Ellen Wade Colfax, u bënë prindër të djalit Schuyler Colfax III në vitin 1870, ndërsa Colfax mbante detyrën e nënpresidentit, sipas të dhënave të Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë.
Disa dekada më herët, John C. Calhoun dhe bashkëshortja e tij, Florida Bonneau Calhoun, u bënë prindër të djalit William në vitin 1829, gjithashtu në kohën kur Calhoun ishte nënpresident i Shteteve të Bashkuara, sipas së njëjtës shoqatë.









