Janjiq: Millan Radojiçiq dhe grupi i Banjskës u stërvitën nga ushtria serbe – Vuçiqi i përfshirë në këtë sulm terrorist

Milan Radojiçiq, personi i identifikuar  e i cili më pas edhe vet e ka pranuar se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës më 24 shtator 2023, nuk është një figurë e zakonshme e krimit, por një aktor me ndikim të thellë politik, ushtarak dhe ndërkombëtar. Kështu deklaron Dushan Janjiq, themelues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, në një intervistë për televizionin Nova në Serbi.

“Radojiçiq është më i fortë se regjimi. Biografia dhe imazhi që është krijuar për të në opinionin publik nuk është pamja e plotë. Ai është shumë më me ndikim, shumë më mirë i stërvitur ushtarakisht, sesa tregoi në Banjskë”, u shpreh Janjiq, duke theksuar se vendosja e tij vetëm në kuadrin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është naive.

Ai shtoi se Radojiçiq ka pasur lidhje edhe me struktura ndërkombëtare dhe është tashmë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Sipas Janjiqit, pavarësisht faktit që në Serbi është hapur një procedurë penale kundër Radojiçiqit, ai nuk është i disponueshëm për drejtësinë në Kosovë.

Ai vlerësoi se për ta gjykuar Radojiçiqin realisht, nevojiten ndryshime politike.

“Për të përfunduar gjykimin e një njeriu si Radojiçiq duhen ndryshime politike. Ky është një proces i madh. Do të gjykohet, por kjo kërkon kohë. Dhe në fund do të paguhet fatura”, u shpreh ai, duke shtuar se administrata amerikane është e vendosur për të çuar këtë proces deri në fund, njësoj si me hetimin për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Ndërsa fliste për ngjarjen në Banjskë, Janjiq e cilësoi atë si akt të qartë terrorist, të organizuar në mënyrë të plotë, me përfshirje të strukturave shtetërore dhe ndihmë të jashtme.

“Ky sulm ishte i organizuar me përfshirje të fortë nga jashtë, edhe nga Rusia. Është e qartë që këta djem u trajnuan në kampet e ushtrisë. Ata kanë statusin e shërbyesve vullnetarë të shërbimit ushtarak, gjë që e komplikon të gjithë çështjen, sepse përfshin edhe shtetin e Serbisë”, tha ai.

Janjiq tha se sulmi ishte përgatitur për vite me radhë, dhe kishte lindur pjesërisht nga struktura të mbrojtjes civile.

Sulmin e Banjskës, Janjiq e quajti këtë një gabim strategjik të madh nga ana e Beogradit, duke theksuar se qëllimet ishin të mjegullta, por efekti ishte i qartë: një dështim i rëndë.

“Ky ishte një vlerësim i gabuar, i bazuar në një iluzion të gabuar – që problemi i Kosovës mund të zgjidhet duke bërë një kufi të ri në lumin Ibër. Ishte një përpjekje për të forcuar fuqinë negociuese në dialog, për të marrë Asociacionin, nëse jo ndarjen. Por dështoi”, tha Janjiq.

Ai shtoi se pas sulmit, pozita e serbëve në Kosovë është përkeqësuar më shumë se kurrë.

“Pas Banjskës, ndodhi de facto njohja e pavarësisë së Kosovës përmes planit franko-gjerman. Dhe rezultati është se pozita e komunitetit serb në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e keqe”, deklaroi ai.

Sipas tij, ngjarja në Banjskë solli pasoja të mëdha ndërkombëtare dhe ndryshoi qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë.

Ai tha se tani, në prag të një dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë, presioni ndërkombëtar për sqarimin e kësaj ngjarjeje dhe për ndëshkimin e fajtorëve do të rritet.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni