Janë arrestuar disa persona para protestave të mbrëmjes në Serbi, studentët bëjnë apel që të mos sillen fëmijë

Studentët kanë bërë një apel urgjent për qytetarët para protestave të mbrëmjes së sotme, të cilat janë paralajmëruar në disa qytete të Serbisë, duke kërkuar nga ata që planifikojnë të marrin pjesë që të mos sjellin kafshë apo fëmijë.

“Të nderuar bashkëqytetarë, për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve ju lusim që në protestë të mos sillni kafshë dhe as fëmijë. Tubimet e këtij lloji nënkuptojnë zhurmë të shtuar, turmë dhe situata të paparashikueshme që mund të rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të shkaktojnë stres. Është përgjegjësia jonë e përbashkët të kujdesemi për më të ndjeshmit”, u tha në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale.

Sipas N1 Serbia, të paktën tre persona janë arrestuar në Vrbas – bëhet fjalë për pjesëmarrës në protestën studentore të mbajtur të martën në atë vend.

E gjithë kjo ndodh para protestave të mbrëmjes së sotme dhe pas atyre të mbrëmjes së kaluar, kur përkrahës të Partisë Popullore Serbe hodhën ndaj qytetarëve objekte të ndryshme.

Prokuroria Themelore Publike në Novi Sad ka bërë të ditur se ka arrestuar një burrë, për të cilin pretendohet se ka goditur me grusht në gjoks policin B.S., duke kryer kështu veprën penale të sulmit ndaj një zyrtari në kryerje të detyrës zyrtare.

Me urdhër të kësaj prokurorie, ai është ndaluar deri në 48 orë dhe brenda këtij afati, sipas ligjit, do të sillet dhe do të merret në pyetje në Prokurorinë Themelore Publike në Novi Sad.

Kategoritë
LajmeRajoni