Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka konfirmuar se ushtria izraelite ka vënë në shënjestër depon e materialeve mjekësore të Spitalit “Nasser”, ku si pasojë e sulmit shumica e furnizimeve dhe materialeve mjekësore u bënë të papërdorshme
Ushtria izraelite sulmoi depon e materialeve mjekësore të Spitalit “Nasser” në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri një deklaratë me shkrim lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se ushtria izraelite ka vënë në shënjestër depon e materialeve mjekësore të Spitalit “Nasser”.
Si pasojë e sulmit, në spital u shënuan dëme ndërsa shumica e furnizimeve dhe materialeve mjekësore u bënë të papërdorshme.
Zyrtarët palestinezë në Gaza kanë deklaruar se ushtria izraelite shënjestron shpesh në mënyrë të qëllimshme qendrat shëndetësore dhe infrastrukturën në Gaza.
Sipas Zyrës së Medias së qeverisë në Gaza, ushtria izraelite ka shënjestruar 164 institucione shëndetësore në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke nxjerrë jashtë funksionit 81 qendra shëndetësore dhe 38 spitale dhe duke bërë të papërdorshme 144 ambulanca.
Sipas një deklarate nga zyra e medias, ushtria izraelite shënjestroi më 13 maj Spitalin Nasser, spitalin më të madh në Rripin e Gazës duke vrarë dhe plagosur shumë palestinezë që po merrnin trajtim atje.
– Ushtria izraelite rifilloi sulmet e dhunshme në Gaza pas shkeljes së armëpushimit
Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit.
Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 3.193 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën dhe 8.993 persona janë plagosur.
Numri i palestinezëve që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 53.339, ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 121.034.
Izraeli, i cili prishi armëpushimin, njoftoi se do të vepronte me “forcë ushtarake në rritje” kundër Hamasit, me arsyetimin se kishte refuzuar ofertat e reja të tij për armëpushim.
Nga ana tjetër, Hamasi ka njoftuar se “Izraeli nuk i ka mbajtur premtimet e tij dhe ka rinisur gjenocidin kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës duke dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij para vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin”.