Izraeli po përballet me nivelin më të lartë të emigrimit në historinë e tij. Sipas një studimi të ri të studiuesve nga Universiteti i Tel Avivit, gati 270 mijë qytetarë janë larguar nga vendi që nga viti 2023.
Studimi, rezultatet e të cilit i ka publikuar gazeta Haaretz, tregon se mesatarisht rreth 90 mijë izraelitë janë larguar nga vendi për një periudhë prej tre muajsh ose më shumë në secilin vit nga 2023 deri në 2025.
Kjo mesatare vjetore është dukshëm më e lartë krahasuar me rreth 60 mijë qytetarë që emigronin çdo vit gjatë periudhës 2010-2019.
Duke u bazuar në të dhënat e Zyrës Qendrore të Statistikave të Izraelit, studimi saktëson se më shumë se 86 mijë qytetarë u larguan nga vendi gjatë vitit 2023, ndërsa në secilin prej dy viteve pasuese numri tejkaloi 90 mijë.
Njëri nga autorët e studimit, Itai Ater, theksoi se kjo analizë ofron një pasqyrë më të saktë të përmasave reale të largimeve, pasi përfshin të gjithë banorët afatgjatë që kanë kaluar të paktën tre muaj jashtë vendit, ndërsa përjashton nga statistikat emigrantët e rinj nga Rusia dhe Ukraina.
Problemi thellohet edhe më tej nga fakti se nga vendi po largohen në numër të madh persona me arsim të lartë, përfshirë mjekë, inxhinierë, akademikë dhe qytetarë me të ardhura të larta.
Universiteti i Tel Avivit paralajmëron se një eksod i tillë paraqet rrezik të veçantë për një vend që nuk ka burime të shumta natyrore dhe që mbështetet në mënyrë strategjike te fuqia punëtore e kualifikuar.
Studiuesit paralajmërojnë gjithashtu për rrezikun e të ashtuquajturit “efekt domino”, duke shpjeguar se çdo emigrant shtesë mund të nxisë edhe të tjerë të largohen. Nëse numrat kalojnë një prag të caktuar, përmbysja e këtij trendi mund të bëhet jashtëzakonisht e vështirë, madje edhe e pamundur.
Këto gjetje alarmuese kanë shkaktuar kritika të ashpra nga ligjvënësit izraelitë ndaj qeverisë aktuale.
Gilad Kariv, kryetar i Komisionit të Knessetit për emigracion, deklaroi se Izraeli po përballet me një “cunam emigrimi”, ndërsa qeveria, sipas tij, nuk po ndërmerr asgjë për ta ndalur këtë fenomen.



















