Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) do të votojë të martën për përjashtimin e përfaqësueses dhe klubeve të Izraelit nga garat ndërkombëtare dhe, sipas mediave izraelite, shumica dërrmuese e anëtarëve do ta mbështesin këtë vendim.
Futbolli dhe sporti izraelit kanë frikë se këtë të martë do të marrin lajmin për përjashtimin nga garat e UEFA-s për shkak të gjenocidit që Izraeli po kryen në Gaza. Portali Israelhayom shkruan se presioni më i madh për një vendim të tillë po vjen nga Katari pas zhvillimeve të fundit politike dhe sulmit izraelit ndaj Dohas.
Sipas këtij portali, i cili konsiderohet i mirëinformuar, mes votuesve ekziston një shumicë e madhe që mbështet përjashtimin e Izraelit, ndërsa vetëm dy ose tre shtete shprehen qartë kundër një mase të tillë.
Për këtë arsye, Federata e Futbollit të Izraelit po punon ditë e natë për ta parandaluar votimin dhe po kërkon ndihmën e të gjithë miqve të Izraelit në nivel sportiv dhe diplomatik.
Aktualisht po zhvillohet një betejë prapa skenave për të penguar votimin, pasi nëse ai mbahet, thuajse është e sigurt se Izraeli do të përjashtohet – gjë që, sipas mediave, do të ishte edhe vendimi i vetëm i arsyeshëm.