Izraeli e paraqiti largimin e shtetasve me shtetësi të dyfishtë nga Gaza si fillimin e fazës së parë të deportimit të palestinezëve

Autoritetet izraelite e kanë paraqitur evakuimin e 70 banorëve të Gazës me shtetësi të dyfishtë apo lidhje familjare jashtë vendit si fillimin e zbatimit të fazës së parë të planit për zhvendosjen e palestinezëve që duan të largohen nga Gaza drejt vendeve të treta.

Sipas gazetës Jerusalem Post, këta persona janë nisur nga aeroporti Ramon në jug të Izraelit me një avion ushtarak rumun dhe janë transferuar në Evropë. Autoritetet izraelite kanë deklaruar se kanë ndihmuar në këtë evakuim si pjesë e politikës së shpërnguljes.

“Po punojmë me të gjitha mjetet për të zbatuar vizionin e presidentit amerikan dhe do t’i lejojmë çdo banori të Gazës që dëshiron të zhvendoset në një vend të tretë ta bëjë këtë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes Israel Katz, duke iu referuar planit të Donald Trumpit për dëbimin e palestinezëve nga Gaza.

Kabineti i sigurisë së Izraelit ka miratuar themelimin e një administrate të veçantë për të ndihmuar palestinezët në Gaza që duan të largohen drejt vendeve të treta, si pjesë e një iniciative më të gjerë për shpërnguljen e popullsisë, e cila është ndërmarrë nga Katz në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë fundjavës, qeveria izraelite konfirmoi themelimin e “Zyrës për Emigrimin Vullnetar”, për të cilën Katz tha se do të lehtësojë largimin “të sigurt dhe të mbikëqyrur” të banorëve të Gazës në përputhje me ligjin izraelit dhe ndërkombëtar.

Kjo administratë, që funksionon nën Ministrinë e Mbrojtjes, do të koordinojë me organizatat ndërkombëtare dhe do të menaxhojë logjistikën në pikat kufitare të caktuara, si dhe do të mbikëqyrë infrastrukturën për transferime tokësore, detare dhe ajrore.

Së shpejti pritet emërimi i kandidatit për drejtuesin e kësaj zyre.

Ministri i Financave të Izraelit, ekstremi i djathtë Bezalel Smotrich, ka propozuar një afat ambicioz për zhvendosjen e deri në 10.000 banorëve të Gazës në ditë, duke këmbëngulur se kufizimet buxhetore nuk do ta pengojnë procesin.

Kategoritë
BotaLajme