Planifikuesit strategjikë izraelitë kanë analizuar në detaje mekanizmat dhe shtrirjen territoriale të Nenit 5 të NATO-s, duke arritur në përfundimin se garancitë e mbrojtjes kolektive nuk i mbrojnë kapacitetet ushtarake turke që veprojnë jashtë kufijve sovranë të Turqisë, shkruan Israel Hayom.
Sipas gazetës Israel Hayom, në Izrael është krijuar bindja se një sulm izraelit ndaj forcave turke të dislokuara në Siri nuk do ta aktivizonte automatikisht mekanizmin e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Një vlerësim i tillë ndikon në mënyrën se si Izraeli i qaset infrastrukturës ushtarake që mund të përdoret nga Turqia, përpara se atje të vendosen ushtarët turq.
Sulm pa praninë e forcave turke
Sulmi izraelit ndaj bazës ajrore siriane Abu al-Duhur të enjten tregoi se si një vlerësim i tillë mund të zbatohet në praktikë.
Tetë sulme goditën pistën dhe objektet ushtarake, ndonëse në bazë nuk kishte ushtarë apo pajisje turke.
Izraeli më vonë deklaroi se Damasku po përgatitej të lejonte dislokimin e forcave turke, megjithëse Siria i kishte bërë të qartë qeverisë dhe shërbimeve të inteligjencës izraelite se plane të tilla nuk ekzistonin.
Pas sulmeve izraelite, si Siria ashtu edhe Ankaraja mohuan publikisht se një dislokim i tillë kishte qenë ndonjëherë i planifikuar.
Neni 5 dhe çështja e Sirisë
Rëndësia e sulmit ndaj Abu al-Duhur lidhet me kohën kur ai u krye. Në mungesë të personelit turk, Izraeli beson se objektivi mund të trajtohet kryesisht si infrastrukturë ushtarake.
Nëse forcat turke do të ishin të pranishme, çdo sulm do të sillte rrezikun e vrasjes së ushtarëve turq, hakmarrjes, përfshirjes së SHBA-së dhe një përplasjeje të drejtpërdrejtë me një shtet anëtar të NATO-s.
Megjithatë, sipas qeverisë izraelite, këto rreziqe nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se NATO do të ndërhynte.
Izraeli thuhet se ka studiuar mënyrën se si funksionon Neni 5 dhe territorin ku zbatohen garancitë e tij.
Sipas vlerësimeve të strategëve izraelitë, forcat turke të dislokuara në territorin e Sirisë nuk gëzojnë automatikisht mbrojtjen e NATO-s atje dhe vetëm prania e tyre nuk e aktivizon Nenin 5.
Izraeli po rrezikon gjithnjë e më shumë një përplasje dhe përshkallëzim ushtarak me Turqinë, duke u mbështetur në bindjen se NATO nuk do të përfshihej.
Sulme ndaj objektivave që mund të përdoren nga Turqia
Qasja më e gjerë e Izraelit është të veprojë përpara se të krijohet ndonjë prani ushtarake turke.
Izraeli pretendon se ekipet ushtarake turke gjatë vitit 2025 kanë inspektuar bazat T4, Palmyra dhe Hama si lokacione të mundshme për dislokimin e forcave. Izraeli më pas i ka sulmuar këto objekte.
Shqetësimi izraelit nuk lidhet vetëm me praninë e ushtarëve turq.
Radarët, sistemet e mbrojtjes ajrore, lufta elektronike, avionët luftarakë dhe sistemet e komandimit mund t’i japin Ankarasë mundësi më të mëdha për të mbikëqyrur dhe kufizuar operacionet izraelite mbi Siri.



















