Italia shpreh “dënimin më të fortë” pasi anijet e Flotiljes Sumud u sulmuan me dronë

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto ka urdhëruar nisjen e një fregate të marinës për operacione të mundshme shpëtimi

Italia shprehu “dënimin e saj më të fortë” sot pasi anijet e Flotiljes “Sumud” të nisur për në Gaza që po transportonin qytetarë italianë u sulmuan me dronë nga autorë të paidentifikuar, tha ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, transmeton Anadolu.

“Në një demokraci, edhe demonstratat dhe protestat duhet të mbrohen kur ato zhvillohen në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe pa përdorur dhunën”, tha Crosetto në një deklaratë në platformën amerikane të medias sociale X, duke denoncuar sulmin.

Ministri shtoi se ka zhvilluar bisedime me kryeministren italiane Giorgia Meloni sot në mëngjes dhe ka autorizuar ndërhyrjen e menjëhershme të fregatës shumërolëshe “Fasan” “për të siguruar ndihmë për qytetarët italianë në flotilje”.

“Fregata është tashmë në rrugë drejt zonës për operacione të mundshme shpëtimi”, tha Crosetto.

Sipas një lajmi nga agjencia e lajmeve ANSA, Maria Elena Delia, zëdhënësja italiane e misionit, ka thënë se “u goditën anije nga Italia, Britania e Madhe dhe Polonia”, duke e quajtur incidentin “një sulm ndaj tri vendeve” dhe “episod shumë serioz, i cili vendos precedent”.

“Shpresojmë që bota politike të ndërhyjë. Flotilja u sulmua nga të paktën 15 dronë dhe se katër ose pesë anije janë dëmtuar, përfshirë edhe tonën, dhe nuk do të jenë më në gjendje të lundrojnë”, tha Delia.

Kategoritë
BotaLajme