“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që të mos ndodhë asnjë incident me Flotiljen”, tha ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto
Italia do të dërgojë një anije të dytë për të shoqëruar Flotiljen Globale “Sumud”, njoftoi sot ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, transmeton Anadolu.
Duke informuar deputetët mbi flotiljen, Crosetto tha se qeveria synon të parandalojë çdo incident në det, ndërsa anijet humanitare përpiqen të dërgojnë ndihmë në Rripin e rrethuar të Gazës.
Flotilja, e përbërë nga rreth 50 anije, u nis për në lundrim më herët këtë muaj, me qëllim që të thyejë bllokadën e Izraelit dhe të dërgojë ndihmë humanitare, veçanërisht furnizime mjekësore në Gaza, ku 2.4 milionë palestinezë kanë qenë nën rrethim për 18 vjet.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që të mos ndodhë asnjë incident me Flotiljen, dhe kërkoj ndihmën tuaj në këtë drejtim, pavarësisht nga kundërshtimi politik. Klima është shqetësuese, dhe them se nuk jemi në gjendje të garantojmë sigurinë e anijeve jashtë ujërave ndërkombëtare”, u citua ai nga agjencia e lajmeve.
Ai dënoi sulmet e fundit ndaj anijeve civile, duke thënë: “Sulmet ndaj anijeve civile në ujëra të hapura janë krejtësisht të papranueshme. Çdo demonstrim, nëse respekton ligjin, duhet të mbrohet dhe nuk mund të shtypet me dhunë”.
Organizatorët më parë raportuan 12 shpërthime që goditën nëntë anije në ujëra ndërkombëtare pasi dronë shënjestruan vazhdimisht flotiljen. Ndërsa grupi nuk ia atribuoi përgjegjësinë, Izraeli i cili ka kërcënuar të bllokojë misionin të arrijë në Gaza, nuk ka komentuar.
Pas dislokimit së fregatës Fasan, Crosetto tha se ka “urdhëruar dërgimin e një anijeje tjetër, ‘Alpino’, e cila ka aftësi të tjera nëse do të nevojiten ndonjëherë”.
Spanja njoftoi të mërkurën se do të dërgojë një anije për të mbështetur flotiljen.
Hetuesit e OKB-së arritën së fundmi në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Rripin e Gazës, ku mbi 65.400 njerëz janë vrarë që nga tetori 2023.