Policia e Shtetit ka dhënë detaje pas vrasjes që ndodhi ditë më parë në Shkodër, gjersa ka bërë të ditur se janë vënë në kërkim dy persona, B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar që dyshohen se kanë bashkëpunuar në këtë rast.
Në njoftimin e Policisë bëhet po ashtu e ditur se është zbuluar arsenal armësh, dronë e kapsolla detonatorë.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 08:50, në një lokal, në lagjen ‘Qemal Stafa’, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ dhe me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin R. G., 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’, ‘Vjedhja me armë’, ‘Shkatërrimi i pronës’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ dhe ‘Vjedhja’, thuhet në njoftim.
Policia tutje bën të ditur se janë sekuestruar dy armë zjarri (1 automatik dhe 1 pistoletë me fishek në fole), 1 skafandër, 1 maskë, 1 jelek antiplumb dhe 1 shishe 1.5 l e mbushur me lëndë djegëse, që iu gjetën shtetasit R. G., i cili u vu në pranga nga shërbimet e Policisë, pas ngjarjes.
Po ashtu u sekuestrua automjeti që ky shtetas vodhi nën kërcënimin e armës, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe motomjeti pa targë dhe pa numër shasie, që ai la në vendin e ngjarjes.
“Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit B. B. alias B. B., 39 vjeç, dhe një 17-vjeçar, për veprat penale ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’ dhe ‘Vjedhja’”, thuhet tutje.
Policia njofton se gjatë kontrollit në banesën e një shtetaseje (e cila jeton jashtë vendit), të cilën këtë shtetas e përdornin si bazë për këtë aktivitete kriminale, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armë.
Armët e sekuestruara janë një armë zjarri automatike dhe 6 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni luftarak, 45 kapsolla detonatore elektrike, një automjet tip “Audi” me targa të vjedhura në qytetin e Lezhës, 5 dronë të madhësive të ndryshme, pajisje shtesë për dronë, 1 laptop dhe 5 aparate fotografike.
Policia thekson se po vijon punën për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale të tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/