Testet mjekësore të ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro këtë javë treguan praninë e një forme të hershme të kancerit të lëkurës, thanë mjekët të mërkurën.
Sipas rezultateve të procedurës së së dielës për heqjen e lezioneve të lëkurës, mjekët gjetën karcinomë planqelizore, e cila fillon në qelizat e shtresës së mesme dhe të jashtme të lëkurës.
“Dy lezione rezultuan pozitive në karcinomë planqelizore, e cila nuk është as më e buta e as më agresivja, por megjithatë është kancer i lëkurës,” tha mjeku i Bolsonaros, Claudio Biroloni, sipas CNN Brasil.
Lajmi vjen më pak se një javë pasi ish-presidenti u dënua për planifikimin e një grushti shteti, për të cilin prokurorët thanë se përfshinte plane për një atentat të mundshëm ndaj presidentit aktual, Luiz Inácio Lula da Silva. Bolsonaro, 70 vjeç, u dënua me më shumë se 27 vite burg. Ai mbetet në arrest shtëpiak dhe pritet të apelojë.
Kanceri i Bolsonaros është përshkruar si “in situ”, që do të thotë se qelizat jonormale nuk kanë treguar shenja përhapjeje.
Diagnoza do të kërkojë ndjekje klinike dhe rivlerësim periodik, thanë mjekët në spitalin DF Star në Brazilia.
Bolsonaro u shtrua të martën për herë të dytë në atë spital për shkak të të vjellave, marramendjes, presionit të ulët të gjakut dhe presinkopisë – ndjenjës sikur do të humbte ndjenjat. Ai u la i lirë të mërkurën dhe vazhdon të ndiqet nga mjeku.
Ky politikan i ekstremit të djathtë më parë ishte hospitalizuar për dhimbje të lidhura me plagën e marrë nga një sulm me thikë gjatë fushatës para shtatë vitesh.
Djali i tij më i madh, senatori Flávio Bolsonaro, shkroi në X se i ati do ta kalojë edhe këtë sfidë.
“Im atë ka kaluar beteja më të vështira dhe ka fituar. Kjo nuk do të jetë ndryshe,” tha ai.