Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, në një bisedë me gazetarët ka shprehur bindjen se ekziston një kërkesë e madhe për armët dhe pajisjet ushtarake ruse.
“Pas përfundimit të operacionit special ushtarak (emërtimi që përdorin rusët për luftën në Ukrainë – shën. red.), besomëni, do të ketë një radhë të gjatë për armët tona. Armët tona janë provuar në luftë dhe janë përpunuar deri në përsosmëri,” tha Shoigu.
Sipas tij, blerësit e huaj janë veçanërisht të interesuar për sistemet e mbrojtjes ajrore, dronët dhe automjetet e blinduara të modernizuara.
“Kjo vlen veçanërisht për sistemet kundërajrore raketore S-400, S-500 dhe sistemin PVO Pancir,” shtoi ai.
Shoigu shërbeu si ministër i Mbrojtjes së Federatës Ruse nga viti 2012 deri në vitin 2024, gjë që e bën atë ministrin më jetëgjatë të mbrojtjes që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Tregu global dhe Rusia
Raporti më i fundit i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI) tregon se tre eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë janë ndryshuar në vitet e fundit. Sipas analizës, SHBA-të zënë 43 për qind të tregut, në vend të dytë është Franca me 9.6 për qind.
Rusia zë 7.8 për qind të tregut global, një rënie krahasuar me vitin e kaluar kur kishte 11 për qind. Megjithatë, Rosoboronexport – ndërmarrja shtetërore ruse për eksportin e armëve – pretendon se SIPRI nuk ka qasje në të dhëna të besueshme dhe se interesi për armët ruse në botë është aktualisht “jashtëzakonisht i lartë”.
Një fakt mbetet se që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, eksporti i armëve është zvogëluar, ndërsa disa porosi janë anuluar apo shtyrë për shkak të pamundësisë së transportit dhe shpërndarjes.
Për shembull, Serbia është njoftuar se një pjesë e pajisjeve që kishte paguar dhe porositur nga Rusia nuk mund të transportohej, duke bërë që disa blerje të dështojnë.