“Çdo bashkëpunim që lehtëson veprimet ushtarake duhet të marrë fund, ndihma humanitare duhet të arrijë urgjentisht te të bllokuarit dhe të uriturit…”, shkroi ajo
Ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka deklaruar se ekziston një “rrugë për të ndaluar gjenocidin që ende po ndodh çdo ditë para nesh” në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në një artikull opinioni për ‘The Guardian’, Ardern tha se rruga përfshin njohjen e Palestinës nga sa më shumë vende.
“Çdo bashkëpunim që lehtëson veprimet ushtarake duhet të marrë fund, ndihma humanitare duhet të arrijë urgjentisht te të bllokuarit dhe të uriturit, si dhe kujdesi mjekësor duhet të jetë i disponueshëm për të plagosurit, të kequshqyerit dhe për nënat shtatzëna dhe të reja”, shkroi ajo.
Ajo theksoi se derisa udhëheqësit e botës mblidhen në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, “ne duhet të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje atyre që kanë pushtet të reagojnë ndaj këtyre krizave humanitare, duke filluar nga konflikti në Ukrainë deri te fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga kriza klimatike”.
“Duhet të fillojmë me Gazën”, tha Ardern.
Gjatë më shumë se katër viteve si kryeministre, Ardern fitoi vlerësime për menaxhimin e epidemisë së koronavirusit COVID-19, para se të largohej nga posti në vitin 2023.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli ka kryer një gjenocid në Gaza, duke vrarë të paktën 65.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Sulmet izraelite kanë zhvendosur qindra mijëra njerëz dhe kanë shkaktuar një uri të rëndë që ka marrë jetën e të paktën 435 personave, përfshirë 147 fëmijë.