Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett ka treguar një ngjarje nga Kroacia, ku vajzës së tij Abigail, një shitës akulloresh në bregdetin kroat refuzoi t’i shiste akullore pasi ajo i tha se ishte nga Izraeli.
Bennett tha se Kroacia i ka pëlqyer gjithmonë dhe se shpesh ka udhëtuar me familjen për pushime në bregdet, ndërsa gjatë vizitës së fundit, siç u shpreh ai, ndodhi një situatë e pakëndshme.
Ai tregoi se vajza e tij Abigail ndodhej në bregdetin kroat dhe përjetoi një incident kur një shitës nuk deshi t’i shiste akullore për shkak se ajo ishte nga Izraeli.
“Ajo po priste në radhë për të marrë një akullore. Shitësi e pyeti: ‘A je nga Izraeli?’ Ajo iu përgjigj: ‘Po’. Atëherë ai ia mori akulloren dhe i tha: ‘Izrael – jo’. Ajo e shikoi dhe i tha: ‘Q***u’. Jam shumë krenar për të. Në Kroaci nuk e pret një gjë të tillë”, tha Bennett.
Bennett e lidhi këtë rast me atë që ai e quajti “kthim të opinionit publik kundër Izraelit”, duke vlerësuar se kjo po bëhet një problem dhe sfidë gjithnjë e më e madhe për Izraelin.



















