Ish-kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapić, dha një intervistë për Televizionin E në Mal të Zi, ku pjesa më interesante lidhej me pritshmëritë e pushtetit në Serbi pas ndryshimit të qeverisë në Podgoricë.
Krivokapić udhëhoqi qeverinë e parë pas rënies së DPS-it të Milo Gjukanoviqit, e cila erdhi në pushtet me mbështetje të konsiderueshme nga partitë pro-serbe në Mal të Zi.
Megjithatë, sipas tij, ai iu kundërvu ndikimit të Beogradit mbi qeverinë malazeze.
“Ekzistonte një synim i qartë që qeveria malazeze të shihej si zgjatim i Beogradit. Qëndrimi im kundër kësaj shkaktoi pakënaqësi tek shumëkush, sidomos te ata që mendonin se pushteti në Podgoricë drejtohej jashtë kufijve të Malit të Zi,” tha Krivokapić.
Ai shtoi se presionet diplomatike ishin të vazhdueshme dhe se partitë brenda shumicës vepronin nën ndikimin e jashtëm. Sipas tij, disa ministra madje silleshin si zgjatim i interesave të huaja.
Përveç Serbisë, Krivokapić kritikoi edhe diplomatët e huaj në Mal të Zi.
“Ambasadorët shpesh dëshironin të ndikonin drejtpërdrejt mbi vendimet tona. Kisha përshtypjen se sovraniteti i Malit të Zi nuk respektohej,” tha ai.
Krivokapić pretendon gjithashtu se diplomatët në Mal të Zi merreshin me “zgjidhje kadrovike” dhe ushtronin “presion serioz” mbi qeverinë e tij.
“Nuk është e lehtë kur dikush vjen e të thotë: këtë duhet ta bëni nëse doni mbështetje. Këto nuk janë marrëdhënie partnersh,” shtoi ai.
Në fund, ai theksoi qartë se “deputetët dhe partitë vepronin nën ndikimin e ambasadave dhe Beogradit”.
“Kur shumica ju ndahet në këtë mënyrë, është e qartë se qeveria nuk mund të zgjasë shumë,” përfundoi ai.
Zdravko Krivokapić ishte kryeministër nga viti 2020 deri më 2022, kur pas votimit të mosbesimit u zëvendësua nga Dritan Abazoviq.