Admirali në pension dhe ish-komandanti i forcave aleate të NATO-s në Evropë, James Stavridis, ka komentuar për CNN marrëveshjen e re bërthamore civile të nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.
I pyetur pse Uashingtoni dëshiron të arrijë një marrëveshje bërthamore me Arabinë Saudite, ish-admirali i Marinës amerikane James Stavridis tha për CNN:
“Përgjigjja e shkurtër është: Duam të mbetemi shumë të koordinuar me sauditët.”
Stavridis shpjegoi se Arabia Saudite tashmë ka “marrëdhënie shumë të ngushta me Pakistanin dhe marrëdhënie të arsyeshme me Rusinë”.
Të dyja këto vende kanë programe bërthamore, prandaj, sipas tij, pjesë e diskutimit më të gjerë është edhe vlerësimi se SHBA-ja duhet të bashkëpunojë me sauditët, pasi Arabia Saudite, siç tha ai, në çdo rast do të arrijë deri te kjo aftësi.
Deklarata e tij tregon se Uashingtoni e sheh marrëveshjen edhe nga këndvështrimi i ndikimit gjeopolitik, përkatësisht si një përpjekje për ta mbajtur Arabinë Saudite në partneritet të ngushtë me SHBA-në, në vend që Riadi të mbështetet gjithnjë e më shumë te fuqitë e tjera.


















