Pas tri ditësh radhazi, ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë
Rubin ishte dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
Pas Rubin, dëshminë e ka nisur dëshmitari i radhës.
Dëshmitari i dytë i Mbrojtjes së Thaçit është Paul Willimas, ish-këshilltari i ekipit të Kosovës në negociatat e Rambujesë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Williams është jurist dhe profesor amerikan i së drejtës ndërkombëtare, i cili njihet si një nga miqtë e hershëm të Kosovës. Në vitin 1999, ai shërbeu si këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave të Rambujesë, ku ndihmoi ekipin kosovar në mbrojtjen e të drejtës për vetëvendosje dhe liri.
Përveç angazhimit në çështjen e Kosovës, Paul Williams është bashkëthemelues i organizatës Public International Law & Policy Group (PILPG), përmes së cilës ka dhënë këshillim ligjor falas në mbi 20 procese paqeje në mbarë botën. Aktualisht, ai ligjëron si profesor në American University në Washington. /Reporteri.net/