“Asnjë furnizim humanitar ose komercial nuk ka hyrë në Gaza për më shumë se tetë javë si rezultat i bllokadës izraelite. Fëmijët po vdesin nga uria. Spitalet po mbarojnë qetësuesit bazë të dhimbjeve”, tha kryediplomati irlandez
Irlanda i ka bërë thirrje Izraelit të heq menjëherë bllokadën e shpërndarjes së ndihmës në Gaza, pasi sot shënohet ndalimi më i gjatë për hyrjen e ndihmave në enklavë që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza në tetor të vitit 2023, transmeton Anadolu.
“Asnjë furnizim humanitar ose komercial nuk ka hyrë në Gaza për më shumë se tetë javë si rezultat i bllokadës izraelite. Fëmijët po vdesin nga uria. Spitalet po mbarojnë qetësuesit bazë të dhimbjeve”, tha Simon Harris, ministri irlandez i Punëve të Jashtme.
Duke cituar paralajmërimin e Programit Botëror të Ushqimit se rezervat e tyre ushqimore tani janë shterur, Harris theksoi se ndihma shpëtimtare është e disponueshme, por kamionët nuk lejohen të hyjnë në Gaza.
“Është e paarsyeshme që vuajtjet aktuale po vazhdojnë. Ky është ndalimi më i gjatë për hyrjen e ndihmës në Gaza që nga fillimi i luftës”, tha Harris.
Duke e quajtur situatën aktuale “të papranueshme”, ai theksoi se pengimi i ndihmës që shpëton jetë është një shkelje e detyrimeve ndërkombëtare të Izraelit.
“Irlanda i bën thirrje Izraelit që të heq menjëherë bllokadën dhe të lejojë qasje të papenguar të ndihmës humanitare”, tha Harris, duke i nxitur të gjitha palët të kthehen në bisedime për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në Gaza.
Ai gjithashtu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “veprojë tani për të shmangur një katastrofë të mëtejshme”.
Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës që nga 2 marsi, duke bllokuar furnizimet thelbësore nga hyrja në enklavë pavarësisht raporteve të shumta për krizë të urisë në territorin e shkatërruar nga lufta.
Më 18 mars, ushtria izraelite rinisi sulmet e saj ndaj Gazës, duke thyer një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve të 19 janarit me grupin palestinez Hamas.
Të paktën 52.400 palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Izraeli për veprimet në Gaza përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.