Ndryshe nga pretendimet e Washingtonit, Irani vazhdon të prodhojë raketa inteligjente dhe të drejtuara, pohon zëdhënësi i Gardës Revolucionare.
Kërcënimeve ndaj infrastrukturës së Iranit do t’u përgjigjemi me “sulme të fuqishme” ndaj pikave kyçe energjetike dhe interesave jetike të SHBA-së, tha të hënën një zëdhënës i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), transmeton Anadolu.
“Sot, SHBA-ja e kupton shumë mirë se nëse i zbaton kërcënimet e saj ndaj infrastrukturës së Iranit, do të përballet me sulme të fuqishme strategjike ndaj pikave kyç energjetike dhe interesave të saj jetike”, tha Hossein Mohibbi, sipas transmetuesit shtetëror iranian IRIB.
Ai tha se Teherani po vazhdon të prodhojë raketa inteligjente dhe të drejtuara, në kundërshtim me pretendimin e Washingtonit se rezervat e armëve të Iranit janë pakësuar ndjeshëm.
“Arritja më e rëndësishme e kësaj lufte ishte transferimi i cenueshmërisë te infrastruktura jetike e armikut dhe qendrat e lidhura me të”, shtoi ai.
Sipas zëdhënësit të IRGC-së, kjo kishte shërbyer për të parandaluar “armikun” që të arrinte objektivat e shpallura, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.


















