“Ne mbetemi të palëkundur në mbrojtjen e vijave tona të kuqe, veçanërisht sa i përket menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit”, tha ligjvënësi iranian
Një ligjvënës iranian ka bërë të ditur se një projektligj i ri është paraqitur në parlament për rregullimin e tranzitit nëpër Ngushticën e Hormuzit, në mes të përshkallëzimit ushtarak me SHBA-në lidhur me këtë rrugë ujore, transmeton Anadolu.
Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe Politikës së Jashtme të parlamentit iranian, Ebrahim Azizi, në rrjetin social amerikan X tha se projektligji u paraqit “mbrëmë, duke përkuar me rrëzimin e dronëve amerikanë”.
“Ne mbetemi të palëkundur në mbrojtjen e vijave tona të kuqe, veçanërisht sa i përket menaxhimit të Ngushticës së Hormuzit”, tha ligjvënësi iranian.
“Ky është hapi i parë, masat e mëtejshme do të vijnë”, paralajmëroi Azizi.
Deklaratat e tij erdhën në një kohë kur Irani dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer sulme për Ngushticën e Hormuzit gjatë ditëve të fundit.
Muajin e kaluar, Washingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që përfshinte një armëpushim, me qëllim hapjen e rrugës drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Megjithatë, javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, e shpalli memorandumin “të përfunduar”.










