Irani paralajmëron SHBA-në të presë “surpriza” nëse vazhdon përshkallëzimi i situatës dhe shkelja e memorandumit

Ushtria e Iranit ka paralajmëruar se SHBA-ja duhet të presë “surpriza” ushtarake nëse vazhdon sulmet ndaj territorit iranian dhe shkeljet e memorandumit të mirëkuptimit.

Ushtria e Iranit ka paralajmëruar se SHBA-ja duhet të presë “surpriza” ushtarake nëse vazhdon sulmet ndaj territorit iranian dhe shkeljet e memorandumit të mirëkuptimit, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia tha se presidenti amerikan Donald Trump do të përballet me veprime të papritura nga ushtria iraniane nëse Washingtoni vazhdon politikat që i cilësoi si “aventuriere” dhe “keqdashëse”, si dhe sulmet ndaj Iranit.

“Zyrtarët amerikanë do të përballen me sfida të reja dhe të papritura nga ushtria e Republikës Islamike të Iranit, si për nga armatimi ashtu edhe për nga gjeografia e luftës, që nuk mund t’i imagjinojnë kurrë. SHBA-ja duhet të presë surpriza nga ushtria”, tha Akraminia për Agjencinë Iraniane të Lajmeve të Studentëve (ISNA).

Ai argumentoi se SHBA-ja nuk është në gjendje të kontrollojë plotësisht zhvillimet, madje edhe në zonat ku pretendon epërsi ushtarake. Akraminia tha se anijet iraniane vazhdojnë të lundrojnë nga Ngushtica e Hormuzit drejt Oqeanit Indian, duke paralajmëruar se “çdo kërcënim nga SHBA-ja ose aleatët e saj do të përballet me përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër nga Teherani”.

Deklaratat e tij vijnë në mes të tensioneve në rritje midis SHBA-së dhe Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit ndërsa të dyja palët vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve, pavarësisht memorandumit të mirëkuptimit të ndërmjetësuar nga Pakistani, i cili synon t’i japë fund konfliktit dhe të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme paqeje.

Kategoritë
BotaLajme