Irani: Objektet bërthamore të dëmtuara nga sulmet izraelite dhe amerikane do të rindërtohen

-“Objektet e shënjestruara do të rindërtohen pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit të një sulmi të mundshëm izraelit”, tha kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami

Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami tha se objektet bërthamore të dëmtuara në sulmet e Izraelit dhe SHBA-së do të rindërtohen, transmeton Anadolu.

Duke folur për “Sky News Arabia”, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Eslami dha informacione në lidhje me të ardhmen e objekteve bërthamore në Iran të dëmtuara gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor.

“Objektet e shënjestruara do të rindërtohen pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit të një sulmi të mundshëm izraelit”, tha Eslami.

Duke pohuar se shkalla e pasurimit të uraniumit në vendin e tij është ekzagjeruar, Eslami tha: “Një shkallë e lartë pasurimi nuk është domosdoshmërisht për qëllime armësh. Ne kemi nevojë për pasurim më të lartë për mjetet tona të ndjeshme matëse. Ne kemi qenë nën embargo për vite me radhë. Askush nuk na i shet këto produkte”.

Zyrtari iranian theksoi se ata nuk do të negociojnë me SHBA-në, duke thënë: “Nuk ka nevojë të flasim me ta”.

“SHBA-ja ka bërë padrejtësi të mëdha ndaj popullit iranian, ka goditur rëndë Iranin që nga fillimi i Revolucionit Islamik dhe kohët e fundit ka kryer sulme ushtarake ndaj vendit tonë. Ndërsa zhvilloheshin bisedime indirekte dhe negociata, ata ndërmorën operacione ushtarake. Armiku është armik. Me një armik të tillë nuk ka asnjë kuptim të bisedosh”, tha Eslami.

Ndryshe, më 13 qershor, Izraeli krey sulme të gjera që synuan gjithë komandën e lartë ushtarake të Iranit, përfshirë objektiva në institucionet bërthamore, në qytete të ndryshme.

Në sulme humbën jetën kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë si dhe nëntë shkencëtarë bërthamorë.

SHBA-ja, e cila mbështeti hapur Izraelin, më 22 qershor sulmoi tri objekte bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan.

Si hakmarrje ndaj sulmeve të SHBA-së, më 23 qershor, Irani sulmoi bazën ajrore “El-Udeyd” të SHBA-së në Katar, ndërsa presidenti Donald Trump njoftoi më 24 qershor arritjen e armëpushimit midis Iranit dhe Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme