Iran kërkon përjashtimin e Izraelit nga garat ndërkombëtare të FIFA-s

Ministri i Sportit dhe Rinisë së Iranit, Ahmad Donyamali, i ka dërguar një letër të hapur presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar pezullimin e Izraelit nga të gjitha garat ndërkombëtare të futbollit.

Në letrën e tij, Donyamali thekson se, si pasojë e sulmeve izraelite mbi Iranin, kanë humbur jetën futbollisti Ali Moradi, lojtari i futsallit Alireza Khalaj dhe gjyqtari Mohammad Asadi – ngjarje që ai i cilëson si “krime të hapura lufte” të kryera nga “regjimi sionist izraelit”.

“Me dhimbje të thellë dhe shqetësim të madh ju tërheqim vëmendjen për krimet flagrante të luftës të kryera nga regjimi sionist kundër Republikës Islamike të Iranit. Këto akte agresioni kanë pasur pasoja shkatërruese për civilët e pafajshëm. Mes viktimave janë edhe figura sportive, çka përbën një goditje të rëndë jo vetëm për kombin tonë, por edhe për komunitetin sportiv global,” thuhet në letër.

Ministri iranian kërkon nga FIFA që të marrë masa urgjente dhe të vendosë pezullimin e Izraelit nga të gjitha aktivitetet futbollistike ndërkombëtare.

“Kjo kërkesë nuk është vetëm një qëndrim politik, por një angazhim themelor për të drejtat e njeriut dhe etikën sportive, siç përcaktohet edhe në Kartën Olimpike. Një veprim i tillë do të dërgonte një mesazh të qartë dhe të fuqishëm se vlerat e dinjitetit njerëzor dhe paqes janë mbi çdo interes tjetër,” përfundon letra.

Mbetet të shihet nëse Gianni Infantino dhe FIFA do të reagojnë ndaj kësaj kërkese të pazakontë në kontekstin e rritjes së tensioneve ndërkombëtare dhe rolit që luan sporti si mjet diplomatik.

Kategoritë
Sport