Këshilli i Lartë Gjyqësor i Irakut njoftoi se ka sekuestruar 375 kilogramë ar në kuadër të hetimit për korrupsion që po zhvillohet ndaj zëvendësministrit të paraburgosur të Naftës, Adnan Al-Jumaili, i cili vazhdon të jetë nën hetim.
Njoftimi vjen në një kohë kur autoritetet irakiane po vazhdojnë një fushatë të gjerë kundër korrupsionit, të nisur disa javë më parë dhe të përqendruar në rastet që lidhen me ministritë e Naftës dhe të Energjisë Elektrike.
Fushata ka çuar në arrestimin e dhjetëra zyrtarëve, deputetëve dhe politikanëve. Sipas një raporti të fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në rastin e Al-Jumailit fillimisht ishin sekuestruar 358 kilogramë ar.
Në njoftim citohet gjykatësi Diaa Jaafar, i cili drejton Gjykatën për Veprat Penale të Korrupsionit dhe i cili deklaroi se në këtë rast janë sekuestruar gjithsej 375 kilogramë ar.
Ai tha se ari është konfiskuar në koordinim me autoritetet e Rajonit të Kurdistanit dhe Këshillin Gjyqësor. Gjithashtu, shtoi se ari i sekuestruar është transferuar në thesarin e Bankës Qendrore të Irakut, në kuadër të përpjekjeve për përfundimin e hetimit ndaj zëvendësministrit të Naftës, Adnan Al-Jumaili, kthimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të përfituar përmes veprës penale, si dhe ndëshkimin e personave përgjegjës në përputhje me ligjin.
Agjencia shtetërore Irakiane e Lajmeve (INA) publikoi fotografi ku shihen sasi të mëdha ari duke u transportuar drejt thesarit të Bankës Qendrore të Irakut.




















