Incidente në mbarë Evropën: Droni nga Rumania hyri në Bullgari dhe shpërtheu pranë gazsjellësit, mjete fluturuese u vunë re edhe në Gjermani

Një mjet ajror pa pilot hyri në hapësirën ajrore të Bullgarisë nga drejtimi i Rumanisë dhe shpërtheu pranë pikës kufitare Kardam, jo larg gazsjellësit strategjik Transballkanik.

Ky incident, së bashku me rastet e fundit të vërejtjes së dronëve mbi bazat ushtarake gjermane, ka shtuar shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të përhapet edhe në territorin e vendeve anëtare të NATO-s.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, presidenti bullgar Rumen Radev konfirmoi se droni ishte rrëzuar dhe kishte shpërthyer në një arë me luledielli, por fatmirësisht nuk kishte viktima dhe as dëme në infrastrukturë.

“Droni shpërtheu në afërsi të drejtpërdrejtë të pikës kufitare Kardam me Rumaninë”, deklaroi Radev.

Shpërthimi ndodhi të shtunën në orën 08:10 sipas kohës lokale, vetëm rreth 100 metra larg kufirit rumun dhe afro një kilometër nga stacioni kompresor i gazsjellësit Transballkanik, i cili lidh Turqinë me Ukrainën.

Autoritetet siguruan menjëherë zonën, ndërsa Bullgaria njoftoi se do të forcojë ndjeshëm mbikëqyrjen e kufirit dhe sigurinë rreth objekteve strategjike. Lloji dhe origjina e dronit mbeten ende të panjohura.

Alarm në bazat ushtarake gjermane

Paralelisht me zhvillimet në lindje, shqetësimet janë shtuar edhe në Gjermani. Një zëdhënës i forcave të armatosura gjermane bëri të ditur se të enjten, rreth orës 22:00, u vunë re dy dronë mbi bazën ushtarake në Mechernich, në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, rreth 30 kilometra larg kufirit me Belgjikën.

Personeli ushtarak u dislokua menjëherë në terren, ndërsa në hetime u përfshi edhe policia.

Sipas mediave gjermane, baza e Mechernichut ka depo nëntokësore me nivel të lartë sigurie për pajisje ushtarake dhe përbën një qendër të rëndësishme për personelin përgjegjës për mirëmbajtjen e sistemeve amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot.

Ky nuk ishte rast i izoluar në Gjermani. Të martën vonë në mbrëmje, një tjetër dron u zbulua në aeroportin Leipzig/Halle, një nyje e rëndësishme civile dhe logjistike për NATO-n. Mjeti fluturues u vu re pranë disa avionëve ukrainas të transportit Antonov An-124.

Frikë nga përshkallëzimi rus

Seria e këtyre incidenteve nëpër Evropë ka rikthyer debatet dhe shqetësimet se lufta që Moska po zhvillon në Ukrainë mund t’i tërheqë vendet fqinje anëtare të NATO-s në një konflikt të drejtpërdrejtë.

Njëkohësisht është ngritur sërish pyetja nëse vende kyçe të Aleancës, si Gjermania, janë të përgatitura të përballen me kërcënimet e reja të sigurisë.

Edhe pse zyrtarët gjermanë ende nuk kanë fajësuar publikisht ndonjë shtet për incidentet e kësaj jave, disa politikanë kanë drejtuar gishtin nga Rusia. Edhe zyrtarët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian më herët e kanë akuzuar hapur Moskën për provokime të ngjashme.

Pasi në korrik një dron i dyshuar rus u vu re në hapësirën ajrore të Rumanisë, Komisioni Evropian deklaroi se ishte “kaluar edhe një vijë tjetër”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se “sjellja e pamatur e Moskës përbën rrezik për të gjithë ne”, ndërsa ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, premtoi se Aleanca do të “mbrojë çdo centimetër” të territorit të saj.

Nga ana tjetër, Rusia i mohon kategorikisht këto pretendime. Ambasada ruse në Berlin reagoi të premten lidhur me incidentin në Leipzig, duke e cilësuar atë si një “provokim të fabrikuar” dhe duke deklaruar se bëhet fjalë për një tjetër shembull të akuzave ndaj Rusisë pa prova.

Kategoritë
BotaLajme