Adam Boehler, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si i dërguari për negociatat mbi pengjet me grupin palestinez Hamas, iu përgjigj kritikave nga Izraeli për kontaktet e drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe këtij grupi.
Siç zbuloi Axios, zyrtarët amerikanë dhe Hamasi kanë zhvilluar bisedime përmes ndërmjetësve nga Katari, por edhe drejtpërdrejt, duke përjashtuar Izraelin nga procesi.
Kur nga Izraeli erdhën kritika ndaj administratës së Trumpit, Boehler reagoi qartë, duke thënë se “Amerika nuk është agjent” i këtij vendi.
Megjithëse tha se “e kupton drejtimin izraelit”, Boehler gjithashtu shtoi se duhej të “ndërmerrte negociata që deri tani nuk po shkonin në drejtimin e duhur” dhe se kishte “zhvilluar bisedime shumë të mira” me përfaqësuesit e Hamasit.
Kujtojmë se kontakti i drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Hamasit u prit shumë keq brenda qeverisë izraelite dhe çoi në një “bisedë të tensionuar” midis bashkëpunëtorit më të ngushtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Ron Dermer, dhe Boehlerit.
Edhe pse askush nga Izraeli nuk kritikoi publikisht Boehlerin ose Trumpin, “prapa skenës” ata ishin jashtëzakonisht të zemëruar me udhëheqjen amerikane, e cila e justifikoi këtë hap me faktin se midis pengjeve ndodhej shtetasi amerikan Edan Alexander.