Huthit e Jemenit pretendojnë se “me sukses” goditën dy objektiva saudite me drone

“I pari synoi një objektiv të ndjeshëm të armikut saudit në aeroportin e Najranit, ndërsa i dyti synoi Aramco Najran”, pretendoi zëdhënësi i grupit

Huthit e Jemenit thanë të enjten se kanë kryer dy sulme të ndara me dronë, duke synuar një objekt të Aramco-s dhe një objektiv “të ndjeshëm” në aeroportin e Najranit, në jugperëndim të Arabisë Saudite, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetet sociale, zëdhënësi i Huthive, Yahya Saree, tha se grupi ka kryer dy “operacione ushtarake” me nga një dron secili, duke shtuar se të dy operacionet kanë “arritur me sukses objektivat e tyre”.

“I pari synoi një objektiv të ndjeshëm të armikut saudit në aeroportin e Najranit, ndërsa i dyti synoi Aramco Najran”, pretendoi Saree.

Ai shtoi se sulmet u kryen në përgjigje ndaj një shkeljeje të hapësirës ajrore nga Arabia Saudite, që pretendohet se përfshinte përdorimin e dy dronëve në provincën veriperëndimore Saada të Jemenit.

Riadi ende nuk ka reaguar ndaj pretendimeve të zëdhënësit.

Kategoritë
BotaLajme