Huthët të dielën hynë në zyrat e dy agjencive të Kombeve të Bashkuara në kryeqytetin e Jemenit, Sana, një ditë pasi Izraeli deklaroi se kishte vrarë kryeministrin e qeverisë dhe disa ministra.
Në zyrat e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) dhe UNICEF-it të dielën në mëngjes “hynë forcat lokale të sigurisë”, thanë zëdhënës të agjencive për CNN në deklarata të ndara.
Sipas njoftimeve, u arrestua një anëtar i stafit të WFP-së, si dhe disa anëtarë të stafit të UNICEF-it.
Hans Grundberg, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, më vonë konfirmoi se të paktën 11 punonjës të OKB-së u ndaluan, duke shtuar se ai “e dënon fuqishëm” këtë veprim, si dhe hyrjen e dhunshme në ambientet e OKB-së.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, gjithashtu e dënoi ashpër veprimin e Huthëve, duke bërë thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar”.
Guterres vuri në dukje se edhe të tjerë që punojnë për OKB-në, si dhe persona nga organizata joqeveritare, shoqëria civile dhe misionet diplomatike, janë ndaluar arbitrarisht në Jemen që nga viti 2021.
“Stafi i OKB-së dhe partnerët e saj nuk duhet të jenë kurrë objektiv i sulmeve, arrestimeve apo ndalimeve gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për të siguruar lirimin e sigurt dhe të menjëhershëm të të gjithë personave të ndaluar arbitrarisht,” theksoi ai.
Nuk është e qartë nëse bastisjet lidhen me sulmet izraelite.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu premtoi se sulmet në të cilat u vra Ahmed al-Rahawi, kryeministri i qeverisë së Jemenit të kontrolluar nga Huthët, “janë vetëm fillimi” i fushatës së vendit të tij.
Al-Rahawi u vra së bashku me zyrtarë të tjerë të Huthëve në një sulm në Sana të enjten, konfirmoi kreu i Këshillit Politik të Lartë të Huthëve, duke premtuar hakmarrje për sulmin.