Hungaria po heton kredinë prej një miliard eurosh që qeveria e mëparshme ia kishte miratuar Maqedonisë së Veriut përmes bankës shtetërore Eximbank, me kushte shumë të favorshme, deklaroi sot kryeministri Peter Magyar.
Kredia ishte miratuar me normë interesi prej 3,25 për qind dhe me rrezik të mbuluar plotësisht nga një garanci shtetërore 100 për qind. Magyar tha në një konferencë për media se kjo është një nga disa transaksionet e lidhura me Eximbank që po shqyrtohen aktualisht.
MAGYAR I DHA FUND QEVERISJES SË ORBANIT
Magyar, i cili në zgjedhjet e prillit i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të kryeministrit nacionalist Viktor Orban, ka premtuar luftë kundër korrupsionit të qeverisë së mëparshme.
Orban i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion.
Magyar tha se kredia për Maqedoninë e Veriut mund të tregojë se qeveria e mëparshme ka përdorur fonde të destinuara për mbështetjen e kompanive hungareze për të forcuar një aleat politik të huaj dhe, potencialisht, për të favorizuar kompani miqësore.
ALEATËT DHE LIDHJET ME ORBANIN
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lider i partisë konservatore-nacionaliste VMRO-DPMNE dhe aleat politik i Orbanit, kishte deklaruar në vitin 2024 se kishte siguruar një kredi nga Hungaria.
Qeveria e Orbanit në vitin 2018 i kishte dhënë azil ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, po ashtu nga VMRO-DPMNE, pasi ai ishte dënuar me dy vjet burg për akuza që lidhen me korrupsionin.
KATËR RASTE I JANË RAPORTUAR POLICISË
Magyar tha se Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë ka raportuar në polici katër raste të lidhura me Eximbank, përfshirë kredinë për Maqedoninë e Veriut, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim, menaxhim të pakujdesshëm dhe vepra penale që lidhen me falimentimin.
Në mesin e rasteve është edhe një projekt infrastrukture në Afrikë i një kompanie private, për të cilin Eximbank dhe Banka Hungareze për Zhvillim kishin dhënë garanci financiare prej 126 miliardë forintash, rreth 394 milionë dollarë, tha Magyar.
Eximbank nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment lidhur me hetimin.
“Qeveria nuk dëshiron dhe nuk do të japë verdikt për këto raste. Megjithatë, do të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme për të përcaktuar nëse janë kryer vepra penale”, tha Magyar.
ZYRA KUNDËR KORRUPSIONIT
Qeveria hungareze i ka paraqitur parlamentit në fillim të korrikut një projektligj për krijimin e një zyre kundër korrupsionit.
Po atë ditë, Komisioni Evropian njoftoi se Hungaria do t’i bashkohet Zyrës së Prokurorit Publik Evropian.











