Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar lidhur me paraqitjen e Albin Kurtit sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është mbajtur seanca ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës se e kanë kërcënuar Kurtin përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Hoti ka thënë se Kurti paraqitet pa asnjë problem duke u viktimizuar në seanca për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij. Por, ka theksuar deputeti i LDK-së, Kurti s’paraqitet kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv.
Postimi i plotë:
Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve.
Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar.
Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës.